Qeveria e Kosovës

Ndahen 5.5 milionë euro për shtesat e stafit shëndetësor

Qeveria e Kosovës ka ndarë 5.5 milionë euro për shtesën prej 10% për stafin shëndetësor.

Sipas vendimit do të vazhdojë pagesa shtesë prej 10% e pagës bazë, por jo më pak se 60 euro, për punonjësit e shërbimit shëndetësorë të sektorit publik, në periudhën korrik-dhjetor 2022.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se përmes këtij vendimi vazhdohet mbështetja për stafin shëndetësor dhe duke marrë parasysh edhe rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.

“Përmes këtij propozim vendimi pra po vazhdohet mbështetja që ka qenë për stafin shëndetësor. Mbështetja fillestare ka qenë e paraparë të vazhdojë deri në fund të muajit qershor, me ndryshimin e situatës, konsiderojmë që mbështetja duhet të vazhdoj për stafin shëndetësor, pra mbështetja që ka qenë deri më tani prej 10 për qind mbi pagën bazë sepse konsiderojmë që të ketë pra staf të motivuar dhe të angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19”, tha Murati.

Ministri bëri të ditur se do të ndahen mjete në shumën financiare prej 5.5 milionë euro.

“Në lidhje me këtë parashihet që të ndahen mjete në shumën financiare prej 5.5 milionë euro. Marrë parasysh nevojën për mbështetje të stafit shëndetësor në vijmësi ju ftoj që të votoni këtë propozim vendim”, njoftoi Murati.

Sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë dje ka vdekur një person si pasojë e infektimit me COVID-19, ndërkaq janë shënuar 842 raste pozitive.

Shënim: Në ora 13:33 është edituar teksti dhe është përmirësuar arsyeja e ndarjes së këtij buxheti.