Pamje të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Foto: Kuvendi i Kosovës

Ndahen 287 mijë euro për delegatët që kishin miratuar deklaratën Kushtetuese me 2 Korrik 1990

Qeveria e Kosovës ka ndarë 287 mijë euro për delegatët e 2 Korrikut që kishin miratuar deklaratën Kushtetuese në vitin 1990.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Financave Hekuran Murati, sot gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka thënë se kjo shumë ndahet proporcionalisht sipas numrit të deputetëve të 2 Korrikut.

“Është një ndarje buxhetore që është bërë praktikë tashmë, bëhet fjalë për shumën 287 mijë euro e cila ndahet proporcionalisht sipas numrit të deputetëve komfor të Gazetës Zyrtare të datës 2 korrik 1990. Përfituesit parashihet të jenë ose përfituesit direkt që janë delegatët apo familjarët, bashkëshortët ose fëmijët deri në moshën 18 vjeç ose nëse janë në studime deri në 26 vjeç”-ka thënë Murati.

Më 2 Korrik 1990 deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës votuan Deklaratën Kushtetuese përmes së cilës Kosovën e shpallën njësi të barabartë me njësitë e tjera të ish-Jugosllavisë.