NATO mirëpret gatishmërinë e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mirëpritur gatishmërinë e Sllovenisë për të rritur praninë e trupave ushtarake në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në një konferencë për media me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, Stoltenberg tha se Sllovenia, në fakt ka kontribuar qe shumë vjet në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.

“Sllovenia për shumë vite ka kontribuar me trupat e saj në misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, andaj e mirëpres njoftimin e kryeministrit Golob për të qenë gati për të rritur edhe më tej kontributet sllovene në kuadër të KFOR-it”- ka deklaruar Stoltenberg.

Kryeministri slloven nga ana e tij bëri të ditur se ende nuk janë vendosur hapat konkret për shtimin e trupave në Kosovë, porse ka shprehur gatishmërinë e tij për të kontribuar më shumë, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“KFOR-i, do të thosha është historia më e rëndësishme dhe më e suksesshme e bashkëpunimit brenda NATO-s… Dhe, Sllovenia në të kaluarën ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Më pas, gjatë viteve ne e kemi ulur disi kontributin tonë, por jemi të gatshëm të bëjmë më shumë nëse lind nevoja. Dhe siç duket- po, mund të jetë kështu në muajin e ardhshëm, por është diçka që ende duhet të diskutohet para se të vendoset”- ka theksuar Golob.

Më 20.03.2024, në një konfrencë për media, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se populli i Kosovës nuk ka arsye të mbetet pa gjumë për shkaqe të sigurisë, duke shtuar se NATO është e përgatitur dhe e gatshme të bëjë të nevojshmen.

“Mund të them vetëm këtë, ShBA ka qëndruar në mënyrë të vendosur për njerëzit e Kosovës në gjithë këto vite, pjesërisht dhe direkt, në përgjigje të çdo sulmi ndaj territorit, integritetit ose sigurisë së Kosovës … Ne nuk humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë sulm sepse besojmë se NATO është e përgatitur, e gatshme dhe nuk mendoj se njerëzit në Kosovë duhet të humbin gjumin për këtë gjithashtu, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme këtu, e gatshme të bëj të nevojshmen”- është shprehur Hovenier.

Kështu tha diplomati amerikan në kudërpërgjigje të deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Hovenier ka potencuar se e mirëpresin dëshirën e Kosovës që t’i bashkohet NATO-s një ditë dhe se SHBA-të do ta përkrahim në këtë synim, sepse kjo do të kontribuonte në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Deklaratave kërcënuese të Vuçiqit, e po ashtu edhe deklaratave të ambasadorit amerikan Hill, u është kundërpërgjigjur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Njësoj si edhe në të kaluarën ai (Vuçiqi) duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet  e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar”, ka thënë ajo në një prononcim për Telegrafin, më 19.03.2024.

Ndërsa një deklarim para mediave më 20.03.2024, Osmani ka theksuar se ata që thonë se Serbia është afër NATO-s përveç që fyejnë shtetet demokratike, fyejnë edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit.

“Serbia është është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive  Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”- tha Osmani.

Hill për televizionin shtetëror serb RTS, më 19.03.2024 kishte thënë se “nëse shikohet se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”.