Flamuri i NATO-s.

NATO: Do të dërgojmë më shumë trupa në Evropën Lindore

Udhëheqësit e NATO-s kanë deklaruar se po dërgojnë më shumë trupa në Evropën Lindore pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, raporton BBC.

“Askush nuk duhet të mashtrohet nga breshëria e gënjeshtrave të Qeverisë ruse”, kanë thënë 30 liderët në një deklaratë të përbashkët.

NATO i ka bërë thirrje Moskës që të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe “të kthehet prapa nga rruga e agresionit që ka zgjedhur”.

“Vendimi i presidentit Putin për të sulmuar Ukrainën është një gabim i tmerrshëm strategjik, për të cilin Rusia do të paguajë një çmim të rëndë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht për vitet në vijim”, thuhet në deklaratë.

Për dërgimin e trupave në Evropën Lindore, NATO thotë se “do të bëjë të gjitha dislokimet e nevojshme për të siguruar parandalim dhe mbrojtje të fortë dhe të besueshme”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.