Flamuri i NATO-s.

NATO dislokon forca shtesë në Kosovë

Si përgjigje ndaj trazirave të fundit dhe plagosjes së 30 pjesëtarëve të Forcave të KFOR-it në Kosovë, NATO ka nisur vendosjen e Forcave Rezervë Operative (ORF) për Ballkanin Perëndimor, që ishte me status 7 ditë gatishmërie për zbarkim.

Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli përmes një komunikate ka bërë të ditur se një batalion shtesë shumëkombësh i forcave rezervë është urdhëruar të zvogëlojë gatishmërinë e statusit për zbarkim nga 14 ditë në 7 ditë, në mënyrë që të jenë gati të përforcojnë KFOR-i nëse është e nevojshme.

“Dislokimi i forcave shtesë të NATO-s në Kosovë është masë e kujdesshme për tu siguruar se KFOR-i ka aftësitë që i nevojiten për të ruajtur sigurinë në përputhje me mandatin e OKB-së” – tha Admirali Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.

“Dëshiroj të përgëzoj KFOR-in për sjelljen e shpejtë, të përmbajtur dhe veprimin profesional për të ndërhyrë në ndalim të  trazirave dhe për të shpëtuar jetë. Dhuna duhet ndalur, dhe të gjitha palët duhet të ndalojnë së ndërmarri veprime që minojnë paqen në të gjithë komunitetet e Kosovës” – tha Munsch.

Në komunikatë thuhet se Komanda e Forcave të Përbashkëta në Napoli po monitoron nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë të koordinohet me KFOR-in për të siguruar që ata të kenë të gjitha aftësitë dhe forcat që u nevojiten dhe në mënyrë të paanshme të sigurojnë  mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet sipas mandatit të tyre bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.