Mustafa: Aksionet si i sotmi duhet të përjetohen si ditë të mira

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka folur pas bastisjeve të sotme në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë nga Prokuroria e Prishtinës së bashku me Policinë e Kosovës.

Mustafa tha se aksioni i sotëm duhet të merret pozitivisht, sepse drejtësia e kryen punën e saj.

“Aksioni si i ky i sotëm duhet të përjetohen si ditë të mira, ku qartësohen gjërat dhe drejtësia e kryen punën e saj. Unë për shkak se hetimet janë duke vazhduar, nuk do të komentojë asgjë dhe do të jem i rezervuar në komente”, tha ai në konferencë për media.

Tutje ai tha se nuk do ta përdor në asnjë formë për përfitime politike këtë çështje.

“Personalisht në asnjë formë nuk dua t’i komentojë apo t’i përdor për përfitime politike hetimet në Agjencion, çdo gjë e kemi adresuar në organet e drejtësisë dhe gjithmonë do të veprojmë në këtë formë dhe ftoj organet e rendit që ta qojnë deri në fund këtë çështje”, tha Mustafa.

12 persona janë arrestuar sot në aksionin e gjerë të Policisë së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë në Prishtinë.

Bastisje të disa institucioneve kanë rezultuar me konfiskimin e një shume të madhe parash, por edhe materiale të tjera të rëndësishme te cilat do të përdoren gjatë procesit të hetimit.

KALLXO.com ka raportuar nga fillimi i aksionit në Ministrinë e Bujqësisë në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Ky aksion siç merr vesh KALLXO.com ka qenë i shtrirë edhe në disa lokacione tjera.