Mungesa e materialit për mjete identifikuese, Kurti thotë se MPB është gjendur në ‘situatë të pazakontë”

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka cilësuar si të “pazakonshme”, situatën me mungesën të pasaportave në Kosovë.

Në një deklarim për media, pas mbledhjes me kryetarët e komunave, kryeministri Kurti ka thënë që është duke u punuar për ta tejkaluar këtë problem.

“Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të mungesës së materialit për pasaporta është gjendur në një situatë të pazakonshme, cila nuk është e pazakonshme në raport me shtetet e tjera, të cilat po ashtu kanë pasur vështirësi të këtilla. MPB po bën më të mirën e mundshme që sa më shpejt ta kalojë këtë problem” – tha Kurti.

Çështja e mungesës së materialit është duke u diskutuar tash e një kohë të gjatë, madje për shkak të kësaj situate, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar afati i pasaportave. Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë deri në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në fund të janarit pritet që Kosova të furnizohet me material për pasaporta, leje të vozitjes e për letërnjoftime.

Opozita e vendit ka deklaruar se mungesa e pasaportave është paaftësi e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Më 27 dhjetor 2022, Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar kontratën në vlerë mbi 4 milionë euro për “Furnizim me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë”. Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Veridos GmbH” me seli në Berlin të Gjermanisë. Kjo kontratë është nënshkruar përmes procedurës së negociuar.