Hotel Grand - FOTO: Naim Krasniqi - KALLXO

MTI njofton se janë lajmëruar tre investitorë strategjik për 'Hotel Grand'-in

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan aplikimet e disa kompanive për marrjen e statusit të investitorit strategjik.

“Në takimin e kryesuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, morën pjesë edhe përfaqësues të ministrive dhe të komunave, të cilët dhanë mendimet e tyre lidhur me investitorët potencialë për investime strategjike”, thuhet në njoftim.

Ministri Krasniqi sipas njoftimit, njoftoi anëtarët se janë paraqitur tre investitorë të mundshëm strategjikë për “Hotelin Grand” në Prishtinë.  Në anën tjetër votimi i Grupit Operacional për shqyrtimin e aplikimeve të këtyre investitorëve u shty për javën e ardhshme.

“Kryesuesi i grupit operacional për subjektin aplikues “Unitas Energy AG” SH bëri të ditur se kjo kompani ka kërkuar afat shtesë deri në kompletimin e dokumentacionit. Në këtë takim u votua, me një vërejtje, grupi operacional për subjektin aplikues “Moxico Luma Kosovo Mining” LLC”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike vendosi për formimit e Grupit Operacional për sektorin e bujqësisë “KBI Ereniku”, në Gjakovë për subjektin aplikues “Abrazen” LLC, vlera e të cilit arrin shifrën 16 milionë euro.

Gjithashtu, Komisioni ndërministror sipas njoftimit i dha dritën e gjelbër edhe formimit të Grupit Operacional lidhur me sektorin e energjisë në Vushtrri. Subjekti aplikues  “Cicavica Wind Farm 1 LLC”  synon të investojë në këtë komunë 1 milion e 620 mijë euro në sektorin e energjisë me erë.

“Në këtë takim nuk u votua Komisioni operacional për subjektin aplikues “Nixone Energy Group” SHPK, që synon të investojë 62 milionë euro në sektorin e energjisë në komunën e Suharekës. Po ashtu u votua formimi i Grupit operacional për sektorin e bujqësisë, për subjektin “Frutex SHPK”, që synon të investojë në vlerë prej 12 milionë eurosh”, thuhet në njoftim.

Ekipet operacionale sipas njoftimit do t’i analizojnë dhe shqyrtojnë aplikacionet e investitorëve potencialë në mënyrë profesionale dhe pastaj komisioni ndërministror do t’i përcjellë në kryeministri.