Foto: Pixabay

Kosova i ofron rrjetit të dyqaneve ‘LIDL’ tri lokacione strategjike për investim

Kosova i ka ofruar tri lokacione strategjike zingjirit të marketeve të ushqimit – LIDL dhe për këtë ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se kanë marrë zotim nga kjo kompani do të investojë në Kosovë.

Dje, kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësin e tij Besnik Bislimin, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe drejtorët e KIESA-s, ATK-së, Doganave të Kosovës, pritën në takim delegacionin e kompanisë ‘LIDL GmbH&Co KG, si kompani e njohur me zingjirin e dyqaneve ushqimore në botë.

Sipas ministres Hajdari, kësaj kompanie i janë ofruar tri lokacione strategjike dhe i është ofruar potencial i mirë për këtë kompani.

“Me delegacionin e kompanisë LIDL u përshendetëm me zotimin e tyre që do të investojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë, gjersa konkluduan se Kosova ka shumë potenciale konkurruese për investime dhe ndër të tjera, është vendi me sistemin më të mirë tatimor në botë”, ka thënë ministrja Hajdari.

Dyqani i parë LIDL hapi dyert e tij në vitin 1994 dhe tani kanë mbi 11 mijë dyqane në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.