MPJD shpenzon 5 mijë e 460 euro për veshje të shoferëve dhe zyrtarëve të protokollit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte planifikuar t’i shpenzonte 5 mijë e 500 euro për furnizim me veshmbathje për shoferët dhe zyrtarët e protokollit brenda kësaj ministrie.

Procedura e këtij tenderi për MPJD-në kishte zgjatur më rreth 6 muaj, tenderi ishte hapur më 30 gusht të vitit të kaluar e kishte arritur të nënshkruhet tek më 13 shkurt të këtij viti.

Fituesi për këtë tender ishte zgjedhur ofertuesi me çmim më të ulët, operatori ekonomik ‘LUCIANO’ Sh.P.K e cila kishte ofruar çmimin 5 mijë e 460 euro.

Komplete (setër dhe pantallona), këmisha me ngjyra të mbylltë si dhe kravata janë veshmbathjet të cilat ky operator ekonomik duhet t’i siguroj për MPDJ-në.

Ky operator ekonomik duhet që për shoferët dhe zyrtarët e protokollit të sigurojë rroba për stinën e verës dhe të dimrit.

Për stinën e verës, ky operator ekonomik duhet t’i siguroj 7 palë komplete (setër e pantallona) e 14 këmisha për burra , 6 palë komplete (setër e pantallona) për gra si dhe 12 këmisha.

E njëjta sasi e kompleteve (setër e pantallona) si dhe e këmishëve duhet të sigurohet edhe për stinën e dimrit.

Operatori ekonomik sipas kontratës duhet që brenda 30 ditëve kalendarike t’i siguroj këto veshmbathje për MPJD-në.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në një përgjigje për KALLXO.com ka sqaruar përse ka vendosur të bëjë një blerje të tillë.

“Për shkak të reprezentacionit dhe natyrës së punës, përfshirë pritjet protokollare në rastet e delegacioneve të nivelit të lartë, pjesëmarrja në organizimin e çdo ceremonie shtetërore, blerja e veshmbathjeve për zyrtarët e protokollit është vlerësuar e nevojshme dhe është realizuar përkitazi me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Sipas MPJD-së, blerja është realizuar edhe ne vitet e kaluara sipas kërkesës drejtuar nga Protokolli i Shtetit.

“Blerja e veshmbathjeve realizohet me procedura të njëjta nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo procedurë e blerjes përveç zyrtarëve nga Protokolli i Shtetit, nuk ka përfshirë zyrtarë nga departamente tjera apo zyrtarë të kabinetit politik”, thuhet tutje në përgjigje.