Moti për të dielën

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesëshme, të cilat gjatë pjesës së dytë të ditës mund të sjellin riga lokale shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-33 gradë Celsius.

“Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes” – thuhet në njoftimin e IHMK-së për motin që do të mbajë më 23.06.2024.

Sipas IHMK-së, indeksi UV mbetet shumë i lartë prandaj rekomandohet zbatimi i këshillave të IKSHP-së.

Java e ardhshme parashihet të ketë riga shiu dhe ulje të temperaturave.

Për shkak të temperaturave të larta, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka dhënë këshilla se si qytetarët, e në veçanti të moshuarit, duhet të mbrojnë shëndetin e tyre gjatë ditëve të nxehta.

IKShPk tërheq vëmendjen se duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë, mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit, “përcjellë me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”.

Ky institut rekomandon që të moshuarit, në veçanti ata me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike të mbrojnë detyrimisht kokën me kapelë ose shall dhe rrobat të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelëta gjatë daljes nga shtëpia.

Konsumimi i dy litrave lëngje gjatë ditës, “qoftë si tetë gota ujë, apo në formë supe a çaji” është i domosdoshëm. Po ashtu, sipas IKShPK-së, “duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël me shumë mëlmesa, ndërkaq duhet ngrënë sa më shumë pemë dhe perime sezonale”.

“Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial. Paraqitja e kokëdhimbjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente” – ka këshilluar IKShPK.

Për personat që kujdesen për të moshuarit, rekomandohet që të kontaktojnë sa më shpesh me ta. Ndërsa, të moshuarit që dalin nga shtëpia duhet detyrimisht të bartin me vete të dhënat elementare, si: emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit dhe numrin e telefonit të personit kontaktues.

“Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari” – ka shkruar IKShPK.

Ndër më të rëndësishmet janë edhe mirëmbajta e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt.

Aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit duhet të mbahet, ndërsa ecja e vazhdueshme të bëhet në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje.