Moti. Foto: KALLXO.com

Moti në katër ditët e ardhshme në Kosovë, nga nesër pritet të ulen temperaturat

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se në katër ditët e ardhshme do të ketë mot të ndryshueshëm, ndërsa nga e marta pritet të ketë ulje të temperaturave.

Sipas njoftimit, të martën parashihet të ketë mot me me vranësira dhe intervale me diell.

“Vranësirat vende –vende parashihen të sjellin riga të izoluar shiu. Temperaturat e mesditës do të shënojnë ulje për 4-6 gradë”- thuhet në njoftim.

Ndërkaq, të mërkurën parashihet mot kryesisht i ngjashëm, “pothuaj me gjithë parametrat e ditës së martë”.

Mot jostabil, sipas IHMK pritet të ketë të enjten –  i vranët dhe me intervale me diell.

“Vranësirat gjatë ditës do të shoqërohen me shi dhe shkarkime rrufesh. Në fushat termike nuk do të ketë luhatje të mëdha”- vijon njoftimi.

Instituti thekson se të premten parashihet mot kryesisht i vranët, por edhe rrezet e diellit nuk do të mungojnë.

“Parashihet që gjatë ditës të ketë zhvillim të vranësirave të cilat do të shoqërohen me shi dhe shkarkime rrufesh”.

Sipas IHMK-së, dita e hënë (sot)do të jetë dita më e nxehtë e javës. “Do të ketë diell por edhe vranësira të cilat parashihen të sjellin shi e vende-vende edhe shkarkime rrufesh”.