Fondi për të Drejtën Humanitare -Kosovë mbajti diskutimin në temën “Roli i mediave në formimin e opinionit publik për gjykimet e krimeve të luftës” / Foto: KALLXO.com, 05.06.2024

Mosqasja fizike në Hagë, sfidë për gazetarët që raportojnë për seancat gjyqësore të Gjykatës Speciale

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) organizoi diskutim të hapur për rolin e mediave në formimin e opinionit publik për gjykimet e krimeve të luftës.

Në këtë takim të mbajtur më 05.06.2024,u diskutuan sfidat më të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit prej gjykatave për krime lufte, sidomos në lidhje me zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë.

Të pranishëm në këtë takim ishin disa gazetarë që raportojnë në këtë fushë.

Xhorxhina Bami nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, tha se ka shumë pak informacione që iu jepen nga Dhomat e Specializuara dhe kjo pastaj mund të ndikojë në keqinterpretim gjatë raportimit.

“Kjo e komplikon monitorimin dhe mund të keqinterpretohet sepse kur zgjaten seancat palët ka raste që edhe ankohen për atë se si është mbajtë seanca sepse ka pasur pretendime se si ka dalë në publik. Mund të kemi pasë edhe çështje të përhumbjes në përkthim”- deklaroi Bami.

Pritja e gjatë për të marrë një transkriptë nga Dhomat e Specializuara është një sfidë tjetër më çka ballafaqohen gazetarët.

“Problem tjetër janë transkriptet. Duhet të presim ndoshta një muaj për qasje të dokumenteve, kjo e shton vështirësinë që kemi. Kjo mund të çojë edhe në keqinterpretim”- tha Bami.

Rina Mujku, gazetare nga televizioni “Klan Kosova”, në këtë takim foli  për objektivitetin e mediave kur kemi të bëjmë më raportime për krimet e  luftës në Kosovë.

“Në Kosovë qëndrojmë mjaft mirë, sepse ka raportime objektive. Gazetari – pavarësisht sa sfiduese të jetë, e ka obligim të jetë objektiv sepse mund të jetë një pikë reference e një autori”- Mujku.

Ndërkaq gazetarja, Arbnora Luta nga televizioni “ATV”, sfidën më të madhe në këtë drejtim e konsideron pamundësinë për të qenë prezent në zhvillimin e seancave.

“Mosqasja fizike në Gjykatën në Hagë, ndryshe nga ajo (Gjykata) e Prishtinës, mbetet sfidë. Ndërkohë, ne kemi pasë mundësi të jemi fizikisht të pranishëm, mirëpo nuk na lejohet të jemi drejtpërdrejt, jemi pa telefon, krejt çka mundemi me pasë është një fletore dhe laps”- tha Luta.

Sfidë tjetër sipas gazetarit, Sylejman Sylejmani nga portali “InFokus”, është mungesa e informacioneve nga Dhomat e Specializuara dhe mbajtja e seancave të mbyllura çka e vështirëson raportimin për gazetarët.

“Edhe ato pjesë kur kanë qenë të hapura nuk është diskutuar për çështje përmbajtjesore. Në rast se seanca është e mbyllur nuk dihet se për çka dëshmon dëshmitari. 60 për qind të seancave kanë qenë të mbyllura”- tha ai.

Ndërkaq, Amer Alija, përfaqësuesi Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, falënderoi Departamentin federal të Zvicrës për përkrahjen e këtij aktiviteti.

Gjykata Speciale është themeluar më 2015, me kërkesë të faktorit ndërkombëtar, për të gjykuar krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në Hagë po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit edhe ish-krerët e institucioneve të Kosovës dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe personalitete tjera të kohës së luftës.

Shënim: Ky artikull është edituar te citati i koleges Arbnora Luta. Koha e editimit: 05.06.2024, ora 22:14.