Momenti i arrestimit të policit për marrje ryshfeti - VIDEO

Javë më parë një zyrtar policor është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet nga një qytetar.

Zyrtari policor nga Departamenti i Kufirit po dyshohej se i kishte kërkuar një shumë prej 250 eurosh një qytetari për ofrimin e një dokumenti i cili vlen për regjistrim të automjetit.

Fillimisht ishte e paqartë për Inspektoratin Policor të Kosovës se si kishte përfunduar dokumenti i regjistrimit të automjetit të qytetarit në duart e policit por këto u zbuluan pas hetimit të kryer nga ana e hetuesve.

“Kallxo Përnime” po transmeton pamjet ekskluzive të punës së Inspektoratit Policor të Kosovës, Prokurorisë Themelore në Pejë dhe arrestimin e zyrtarit policor.

Shefi i Divizionit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Inspektoratin Policor të Kosovës, Bardhyl Haxhimustafa, tregoi se si arritën të marrin informacionin dhe si punuan në zbardhjen e rastit.

“IPK përmes rrugëve operative ka marrë informacion se zyrtari policor që punon në një pikë kufitare është i dyshuar për marrje ryshfeti. Në bazë të informacioneve që kemi marrë në terren zyrtari policor dyshohet që përmes keqpërdorimit të detyrës është duke i ofruar një qytetari një dokument që vlen për regjistrim të automjetit”, thotë Haxhimustafa.

Informacionet fillestare tregonin se polici po i kërkonte një shumë prej 250 eurosh qytetarit.

“Menjëherë pas marrjes së informacioneve kemi njoftuar prokurorin dhe i njëjti ka udhëzuar që të veprojmë në bazë të informacioneve që kemi”, thotë tutje ai.

Haxhimustafa shton edhe se në këtë rast kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me Prokurorinë Themelore në Pejë.

“Pritshmëritë janë që të konkretizohen veprimet që do të ndërmerren dhe shkëmbimi që mund të bëhet mes qytetarit dhe zyrtarit policor. Prokurori i është bashkuar ekipit hetimor të IPK-së dhe është prezent në çdo veprim që bëhet nga ekipi hetimor”, thotë shefi i Divizionit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK.

Deri sa po zhvilloheshin veprimet hetimore nga ana e hetuesve të IPK-së, u kuptua se polici kishte marrë paratë dhe se i njëjti pritej të arrestohej nga çasti në çast.

Haxhimustafa tregoi rëndësinë e raportimeve të ngjashme të involvimit të zyrtarëve policorë në korrupsion.

“Po të raportohet korrupsioni në momentin kur vetëm i kërkohet qytetarit nga ana e zyrtarëve policor, është shumë më e lehtë që kjo të dokumentohet në procedura gjyqësore sepse kemi mundësi që si ekip të bëjmë monitorim apo edhe simulimin e veprës korruptive”, thotë ai.

Polici pasi kishte pranuar paratë, ekipet e hetuesve të IPK-së u nisën që ta arrestonin.

“Rreth orës 15:00 është bërë arrestimi i zyrtarit policor. Arrestimi është bërë në flagrancë i janë gjetur edhe paratë ndërsa i njëjti tani po dyshohet për marrje ryshfeti”, tregon tutje Haxhimustafa.

Pas arrestimit i njëjti do të dërgohej në ndalim prej 48 orësh deri në përpilimin e kallëzimit penal ndaj tij.

“Zyrtari policor i dyshuar për marrje ryshfeti është arrestuar, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë. Nga ajo që kemi arrit me siguruar është që zyrtari policor e ka detyruar në njëfarë forme qytetarin që i njëjti t’i japë para për ta marrë dokumentin për regjistrim të automjetit”, tha Haxhimustafa.

Në fund sipas Haxhimustafës, rasti do të vazhdoj të hetohej nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës në mënyrë që prokurorit të rastit t’i dërgoheshin të gjitha materialet e nevojshme për procedurën e mëtejmë ligjore.

“Ekipi hetimor do të vazhdoj hetimin e kësaj çështje në mënyrë që prokurorit t’i prezantohen fakte që në mënyrë të shpejtë të mblidhen provat dhe prokurori të ketë mundësi të ngris aktakuzë për veprën penale”, thotë Haxhimustafa.