Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Modernizimi i rrjetit mobil, Telekomi i Kosovës nënshkruan kontratë 15-milionëshe me "Ericsson Nikola Tesla"

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se kanë nënshkruar kontratë në vlerë 15 milionë euro me kompaninë nga Zagrebi i Kroacisë, “Ericsson Nikola Tesla”, për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit mobil të Telekomit të Kosovës.

Sipas komunikatës për media, kjo kontratë përfshin instalimin e pajisjeve moderne Ericsson 4G+ dhe 5G në pjesën radio të rrjetit mobil të Telekomit të Kosovës dhe mirëmbajtjen e rrjetit.

“Pas një procesi të hapur dhe të suksesshëm të tenderimit, Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, nënshkroi sot kontratën kornizë, në vlerë prej 15 milionë eurove, në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Ericsson Nikola Tesla nga Zagrebi, me të cilën vazhdon bashkëpunimi në mes të dy kompanive për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit mobil të Telekomit të Kosovës Sh.A”- thuhet në njoftim.

Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, tha “se projekti i modernizimit të përgjithshëm të rrjetit, në tërësi do të implementohet deri në fund të vitit 2024, ndërsa regjioni i Prishtinës do të modernizohet tërësisht dhe do të ketë mbulueshmëri të plotë gjatë verës së këtij viti”.

Ndërsa, Gordana Kovaçeviq, presidente e kompanisë “Ericsson Nikola Tesla” ka theksuar se vazhdimi i partneritetit me Telekomin e Kosovës do të kontribuojë në forcimin e pozitës së kompanisë që ajo udhëheq në treg.

“Ne kemi punësuar një numër ekspertësh të rinj në zyrën tonë në Prishtinë vitin e kaluar, të cilët së bashku me kolegët nga i gjithë Grupi Ericsson Nikola Tesla, marrin pjesë në zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve më të fundit teknologjike për operatorët kryesorë në botë”- ka thënë ajo mes të tjerave.