Mitrovicë e Jugut - Personat që kanë hyrë në pikat kufitare janë nën mbikëqyrje për 14 ditë

Të gjithë personat që kanë hyrë në dy javët e fundit në Mitrovicën Jugore nga vendet e jashtme, janë duke u mbikëqyrur nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik. Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e IRShP-së Teuta Fejza, në mbledhjen e Shtabit Emergjent të kësaj Komune për menagjimin e situatës nga pandemia COVID-19.

“Në bashkëpunim me Policinë dhe QKMF-në “Dr. Nexhat Çuni” jemi në mbikëqyrje të gjithë personat të cilët kanë hyrë në qytetin e Mitrovicës përmes pikave kufitare dhe atyre ajrore nga shtete të ndryshme, si dhe përcjellin gjendjen e tyre shëndetësore për 14 ditë”, tha ajo.

Drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Fevzi Sylejmani potencoi se stafi mjekësor përveç shërbimeve të zakonshme janë të angazhuar edhe në bartjen e pacientëve të cilët kanë nevojë për trajtim në QKUK, dhe vazhdojnë me punën në teren për rastet e rënda. Po ashtu theksoi se dezinfektimi i institucioneve shëndetësore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Drejtoresha e Shtabit Emergjent Erseka Hasanaj- Barani, raportoi për situatën aktuale në institucionet shëndetësore, derisa theksoi se stafi janë të gatshëm që të ofrojnë shërbime të sigurta dhe profesionale për qytetarët.

Gjithashtu komandanti i Policisë së Stacionit Jugor, Ahmet Xhosha, tha se në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspeksionit kanë kryer inspektime të vazhdueshme ndaj subjekteve afariste për respektimin e vendimit të Qeverisë, dhe se janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 12 orë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i masave parandaluese të virusit COVID-19 dhe të ofrohen shërbime të sigurta për qytetarët.

Në fund drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj- Barani, kërkoi nga të gjithë qytetarët të respektojnë të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së për të qëndruar në shtëpi, të mbajnë distancën sociale dhe higjienën personale.