Mitrovicë e Jugut, këto janë bizneset që u lejohet të punojnë të dielave

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka marrë vendimin që e diela të jetë ditë pushimi për bizneset. Kjo rregullore ka hyrë në fuqi në muajin shtator.

Këtë e ka konfirmuar, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës Jugore, Valon Brahimi.

“Kjo rregullore është miratu në Kuvendin Komunal të Mitrovicës më datë 30.05.2023, ndërkaq koha kur ka fillu të zbatohet që dita e diel të jetë ditë pushimi, ashtu si është përcaktu me rregulloren komunale, 7/2023 fillon prej muajit shtator”.

Ai ka thënë për KALLXO.com se ky kriter ka qenë kërkesë e vetë bizneseve.

“Realisht puna e kësaj rregulloreje që ka fillu me u zbatu tash këtë muaj, ka qenë iniciativë dhe kërkesë e vetë bizneseve dhe disa prej punëtorëve në sektorin privat”, ka thënë Brahimi.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, qytetarët dhe bizneset kanë qenë të njoftuar për këtë rregullore.

“Pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, dy javë përpara ka qenë njoftimi publik në faqen e komunës të cilën e ka publiku Drejtoria e Inspeksionit me të cilin njoftim i ka njoftu qytetarët për masat që do të diskutohen me u zbatu prej muajit shtator. Njoftimi ka qenë i mjaftueshëm dhe ka qenë shumë korrekt”,  theksoi Brahimi.

Valon Brahimi tregon se cilat biznese nuk i përfshin ky vendim.

“Ky vendim në kuptimin territorial i ka përfshi të gjithë pjesën ku administrohet, prej Mitrovicës së Komunës së Jugut, d.m.th qendrën me fshatrat përreth. Ndërkaq në aspektin e subjekteve afariste përfshin pothuajse të gjitha subjektet afariste me përjashtim të atyre që i përkasin gastronomisë, salloneve të bukurisë, shitësve të derivateve me pakicë dhe farmacive të cilat funksionojnë sipas një orari të përcaktuar prej Drejtorisë të Shëndetësisë, në rastin e kujdestarive”, pohoi ai.

Drejtori i Inspeksionit tregoi periudhat kur dita e diel nuk do të jetë ditë pushimi.

“Rregullorja bën dy përjashtime, sezonin veror edhe në muajin dhjetor deri më 15 janar kur i kemi festat e fundvitit. D.m.th punohet. Përjashtim të këtyre dy fazave, të gjitha fazat e tjera, në të gjithë muajt e vitit, e diela është ditë pushimi”.

Ai shtoi se janë dënuar të gjitha ato biznese të cilat me vetëdije të plotë nuk i kanë respektu rregulloren, përkundër faktit që kanë pas obligim ligjor.

“Iu është tërhequr vërejtja disa herë, nuk i kanë përcjellë rekomandimet e Drejtorisë së Inspeksionit dhe ato biznese të cilat nuk e kanë respektu këtë rregullore janë mbyll. Rregullorja në fjalë parasheh që dënimet janë prej 1000-3000 euro për personat juridik ndërkaq prej 300-1000 euro për persona fizik”, përfundoi Brahimi.