Mitrovica aktivizon linjë telefonike pa pagesë

Komuna e Mitrovicës ka aktivizuar linjë telefonike pa pagesë për qytetarët mitrovicas lidhur me këshillat shëndetësore nga personeli i QKMF-së

Drejtoria për Shëndetësi, bazuar në situatën e krijuar me COVID-19, ka marrë shumë iniciativa lidhur me parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Mitrovicë, njëra ndër to është edhe aktivizimi i linjës telefonike pa pagesë me numrin e emergjencës 194.

Aktivizimi është bërë me 5 linja telefonike nga data 19.03.2020, e cila do të jetë 24 orë në funksion, në mënyrë që t’u mundësohet të gjithë qytetarëve që të kontaktojnë personelin shëndetësor lidhur me çfarëdo shqetësimi shëndetësorë që kanë, pa pasur nevojë vizitojnë qendrat shëndetësore.

Sipas njoftimit të komunës përmes kësaj linje personeli shëndetësor do të ofrojë këshilla për qytetarët dhe rekomandime për qytetarët për gjendjen e tyre shëndetësore, në mënyrë që të evitohet frekuentimi i qendrave shëndetësore në këtë kohë pandemie, nga rastet jo emergjente.

Po ashtu Drejtoria për Shëndetësi kërkon nga të gjithë qytetarët e Mitrovicës të vazhdojnë me respektimin e rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 108 raste me coronavirus.