Miratohet vaksina kundër COVID-19 për fëmijët mbi 5 vjeç në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se fëmijët e moshës 5 deri 11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të marrin që që tani vaksinën kundër COVID-19.

“Pas sigurimit ditë më parë dozave pediatrike të vaksinës kundër COVID-19, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes mekanizmit COVAX dhe sigurimit të materialeve përcjellëse për vaksinim, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të vaksinohen që tani kundër COVID-19” është thënë në njoftimin e Ministrisë.

MSH po ashtu ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit për këta fëmijë mund të bëhet në njësitë e vaksinimit në komunat e Kosovës.

Grupmosha mbi 60 vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë. Ajo mbi 12 vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretën.

Kurse, grupmosha 5-11 vjeç me dozen e parë dhe dozën e dytë.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19 për të parandaluar sëmundjen, format e rënda të saj dhe vdekjet nga COVID-19.

Në 24 orët e fundit nga 2,376 testime, 871 persona kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19.