Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Haxhiu udhëzon përmbaruesit të mos i përmbarojë paratë për blerjen e teksteve shkollore

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka nënshkruar sot Udhëzuesin për Odën e Përmbaruesve, nga të cilët ka kërkuar që të mos i përmbarojnë paratë që MASHTI do t`ua deponojë prindërve për blerjen e teksteve shkollore.

Përmes këtij Udhëzuesi, me numër protokolli, 01-1108, të cilin e ka parë edhe KALLXO.com, ministrja Haxhiu udhëzon zyrën e përmbaruesve që të lehtësojnë zhbllokimin e përkohshëm të llogarive të debitorëve- prindër të nxënësve përfitues të cilët do të subvencionohen për blerjen e teksteve dhe mjeteve tjera shkollore.

“Udhëzohen Zyrat e përmbaruesve privat që në pajtim me situatën faktike të shqyrtojnë mundësitë për të lehtësimin e pagesave nga llogaritë e bllokuara të debitorëve – prindër të nxënësve përfitues nga platforma e lansuar nga MASHTI për subvencionin  teksteve shkollore (përmes zhbllokimit të përkohshëm të llogarive të bllokuara të debitorëve në rast kur të njëjtit pranojnë mjetet financiare subvencionuese të destinuara për blerjen e teksteve shkollore dhe materialeve tjera mësimore me qëllim të tërheqjes së këtyre mjeteve deri ën vlerën e destinuar për këtë qëllim”- thuhet në udhëzues..

Ky udhëzues, thuhet në pikë 2 të tij, në asnjë rrethanë nuk synon ta cenojë pavarësinë ligjore dhe profesionale të përmbaruesve privat, por ka për qëllim të udhëzojë për veprime të duhura në situatën aktuale sa i përket  pajisjes së nxënësve me tekste dhe materiale tjera mësimore.

Nga sot MASHTI ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore.