Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja e Drejtësisë ‘pajtohet’ me Prokurorinë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, me qëllim rindërtimin e besimit mes dy institucioneve.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është rënë dakord që Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria të jenë partnerë produktivë.

“Ky takim ka pasur për qëllim diskutimin e çështjeve të përbashkëta dhe tejkalimin e sfidave me synim të rindërtimit të bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë për reforma të vazhdueshme që kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Drejtësisë në krye me Albulena Haxhiun ka pasur përplasje të vazhdueshme me Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor.

Procesi i Vetting-ut në drejtësi ka qenë njëra nga temat për të cilin Këshilli Gjyqësor nuk ishte pajtuar.

Ndërsa disa muaj më parë ministrja e Drejtësisë kishte thënë se nuk do t’u ofrojë përkrahje KPK-së dhe KGjK-së në rast se këto të fundit nuk rikthejnë besimin te qytetarët.