Këshilli Gjyqësor nuk merr pjesë në hartimin e legjislacionit për Vetting

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e sotme ka diskutuar edhe çështjen e legjislacionit të Vettingut.

KGjK me vota unanime mori vendim që mos të dërgohet përfaqësues në grupin punues për procesin e Vettingut.

Kryesuesi i KGJK-së Ahmet Zogaj tha se çështja e Vettingut do diskutim dhe analizë të thellë kur diskutohet çështja  e integrietit profesional të gjyqësorit.

“Jemi për bashkëpunim në kuadër të rregullimit kushtetues. Ne çdoherë jemi shprehur se pajtohemi por si aleatë”, vazhdoi tutje Zogaj.

Sipas Zogajt concept-dokumenti i Vettingut parasheh 2 opsione për ndryshime kushtetuese, për themelimin  e komisionit ‘ad hoc’ për kryerjen e Vettingut  e më pas këto kompetenca u barten këshillave. Sipas tij nuk është e nevojshme të bëhen këto ndryshime pasi që këto punë mund t’i kryejë vetë Këshilli.

Tutje ai tha se janë të vetëdijshëm se gjyqësori ka nevojë për ndryshim por nuk përkrahin koncepte për ndryshime kushtetuese.

Tutje Zogaj shpjegoi se KGjK-ja  kishte dërguar komente lidhur me koncept-dokumentin e procesit të Vettingut dhe Ministria e Drejtësisë është e njoftuar me qëndrimet e KGjK-së.

“Pjesëmarrja e KGjK-së në grupin punues përmes koncept-dokumentit të  dërguar me komente është i njejtë dhe në këtë situatë mendoj se nuk është e nevojshme të kemi përfaqësues në grup punues pasi që dihen qëndrimet e Këshillit”, theksoi ai.

“Ministria e Drejtësisë është një institucion në distancë dhe s’mund të jetë Vettingu prioritet gjyqësor nga Ministria e Drejtësisë”, tha Ahmet Zogaj.

Ndërsa lidhur me grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë Zogaj tha se është joserioz pasi që s’mund të marrin pjesë zyrtarë ligjorë.

“Përbërja aktuale e  grupit punues tregon joseriozitet të shkallës së lartë sepse s’mund të marrin pjesë zyrtarë ligjorë për Vettingun”, tha ai.

Ministria e Drejtësisë sipas Zogajt ka zhvilluar në mënyrë të njëanshme realizimin e Vettingut andaj ka edhe përgjigjen jo në këtë proces.

“Jam I gatshëm t’i them jo këtij procesi”, deklaroi Ahmet Zogaj.

Ndërsa anëtari Avni Mehmeti tha se nuk është qëllimi i tyre të jenë vetëm sa për sy e faqe prezent nëse nuk dëgjohet zëri i tyre.