Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Nuk do ta mbështesim KPK dhe KGjK nëse nuk e kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka paralajmëruar Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor se nuk do ta kenë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë nëse ata nuk punojnë bashkërisht për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Relacionet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshilli Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor janë të mira në momentin kur duan të bëjnë punë të mira. Nuk mund ti mbështes nëse ata i mbyllin sytë përballë shkeljeve e skandaleve me të cilat jemi përball gjatë ditëve të fundit. Jemi zotu se do ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, tha ajo.

Haxhiu ka treguar se edhe dje zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka organizuar konferencë lidhur me “mënyrën e kundërligjshme të rreth 800 mijë euro të cilat iu janë dhënë ekspertëve mjeko-ligjor”.

“Relacionet mes MD dhe institucioneve të drejtësisë Këshilli Prokurorial të Kosovës siç e keni parë dje kemi pas konferencë për media nga Blerim Sallahu ku ka bërë të ditur që në mënyrë të kundërligjshme rreth 800 mijë euro iu janë dhënë ekspertëve mjeko ligjor sepse në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për institutin e mjekësisë ligjore dhe ekspertet janë pagu me udhëzimin e vjetër. Ka pas reagim nga Këshilli Prokurorial në drejtim të ministrisë së drejtësisë Është i pa qartë reagimi”, tha ajo.

Haxhiu tha se sa i përket vetingut në institucionet e drejtësisë, është kërkesë shoqërore dhe nuk mund të vihet në pyetje vetingu, sepse qytetarët e kanë thënë në zgjedhjet e fundit.