Ministrja e Drejtësisë: Jemi duke punuar për të identifikuar personat përgjegjës që ndërlidhen me rastin e 11 vjeçares

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë ditës së sotme ka njoftuar se institucioni që drejton por edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme është duke u punuar që të identifikohen zyrtarë të tjerë të cilët mund të lidhen me rastin e 11 vjeçares e cila u dhunu disa herë brenda një periudhe të shkurtë.

Sipas Haxhiut, ka edhe zyrtarë të tjerë që nuk kanë kryer detyrën e tyre për të trajtuar rastin e të miturës.

“Unë kam kërkuar edhe dorëheqjen e kryeprokurorit pasi që para dy ditësh janë arrestuar 6 persona për dhunimin e 11 vjeçares. Po të vepronte prokuroria me kohë sigurisht që ata persona do të arrestoheshin shumë më herët dhe vepruan vetëm dy muaj më pas, është e rëndësishme që kryeprokurori i
Prishtinës të jap dorëheqje”, tha Haxhiu

Ajo përmendi edhe identifikimin e përgjegjësve të tjerë të rastit.

“Ne po ashtu edhe brenda MPB edhe MD jemi duke identifikuar personat përgjegjës që mund të ndërlidhen me rastin dhe të marrim veprime edhe ndaj atyre. Kemi parë edhe kërkesat e organizatave që kanë protestuar lidhur me këtë rast, sa i përket kërkesave të organizatave tashmë kemi caktuar dy grupe për analiza në aspektin ligjor dhe analizë nga aspekti i sigurisë”, tregoi Haxhiu.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme për rastin e 11 vjeçares e cila po dyshohet se edhe para ngjarjes së 27 gushtit, ajo ishte viktimë e trafikimit dhe dhunimit nga gjashtë persona të tjerë e që ngjarja pretendohet të ketë ndodhur më 21 qershor të këtij viti.

Gjashtë persona janë arrestuar dy ditë më parë nga ana e policisë, pas ekzaminimit të telefonit të 11 vjeçares ku edhe janë identifikuar persona që po dyshohet se kryen dhunimin dhe trafikimin e të miturës.

Në anën tjetër janë edhe pesë persona të arrestuar për dyshimet se kanë dhunuar të miturën gjatë një intervali kohor prej 7 orësh në disa lokacione me datë 27 gusht.

Të dy rastet do të hetohen ndaras ani pse viktima është e njëjtë.

KALLXO.com pas raportimeve për ngjarjen e rëndë ndaj të miturës, kishte konfirmuar nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave se e njëjta ishte viktimë e trafikimit muaj më parë.

Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale për një ditë