Murali i Ratko Mlladiqit në Beograd me mbishkrimin e “Gjeneral, nëna jote duhet falënderuar”. Foto: N1.

Ministria serbe paditet për ndalimin e fshirjes së muralit të Ratko Mlladiqit

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, një OJQ me qendër në Beograd, ngriti të hënën një padi kundër Ministrisë së Brendshme serbe pasi ajo ndaloi aktivistët e të drejtave të njeriut të organizojnë një tubim publik për të pikturuar një mural të gjeneralit serb të Bosnjës të kohës së luftës Ratko Mlladiq në murin e një rezidence banimi në kryeqytet.

Grupi i të drejtave njoftoi të premten se do ta hiqte muralin e kriminelit të luftës të dënuar Mlladiq më 9 nëntor, Ditën Ndërkombëtare të Antifashizmit dhe Antisemitizmit, dhe ftoi mbështetësit të merrnin pjesë.

Por të njëjtën mbrëmje, grupi mori një njoftim nga Ministria e Brendshme se tubimi nuk do të lejohet.

Ministria në vendimin e saj tha se “ka dijeni se mund të ketë një tubim të një numri të madh njerëzish që do të shprehnin pakënaqësi dhe kundërshtim për mbajtjen e një tubimi publik të organizuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, prandaj ka një rrezik konflikti të ndërsjellë fizik dhe prishje të rendit publik në përmasa më të mëdha”.

Pasi ndalimi u njoftua të premten, ministri i brendshëm Aleksandar Vulin e përshkroi planin e grupit të të drejtave të njeriut për të mbajtur tubimin si “të turpshëm dhe të udhëhequr nga qëllimi i keq”.

Marko Milosavljevic i Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut tha se grupi i të drejtave e ngriti padinë kundër ministrisë në Gjykatën Administrative sepse vendimi i saj nuk ishte në përputhje me ligjin e Serbisë për tubimet publike dhe se nuk shpjegonte si duhet arsyet e ndalimit.

“Nuk e dimë se nga vijnë deklaratat se do të ketë një lloj konflikti mes disa grupeve kundërshtare, dhe nga ana tjetër dimë se Ministria e Brendshme është shumë e aftë të mbrojë qytetarët në rast të rrezikut të lartë, demonstratash apo çfarëdolloj tubimi tjetër që ndodh”, tha Milosavljevic për BIRN.

Ai shtoi se grupi i të drejtave nuk do të përpiqet ta heqë muralin të martën sepse “ne nuk duam që të krijohet një atmosferë lufte civile”.

Por ai tha se do të vazhdojë të kundërshtojë vendimin e ministrisë për të vendosur ndalimin dhe “të gjejë një mënyrë, së bashku me organizata të tjera, për të vazhduar punën për heqjen e këtij murali”.

Sipas mediave serbe, murali u shfaq më 23 korrik në murin e një rezidence banimi në komunën Vracarit, afër qendrës së qytetit.

Banorët e ndërtesës u përpoqën t’i bindnin ndërmarrjet komunale që ta hiqnin atë, por ato nuk e bënë.

Milosavljevic argumentoi se “ajo që është treguar tani është se ky është një monument praktikisht jozyrtar/zyrtar për Ratko Mlladiqin”.

Në qershor të këtij viti, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladiq për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin gjatë luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe snajper gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.