Ministria e Financave thotë se nuk ka vendim për kompensimin e parave të tërhequra nga Trusti Personal

Ministria e Financave dhe Transfereve ka bërë të ditur se qytetarët të cilët do të  tërheqin 10%-shin e kursimeve të tyre nga Trusti Personal nuk do të kompenzohen nga Qeveria e Kosovës.

“Është sqaruar se nuk ka vendim për kompensim të shumave të tërhequra në mënyrë vullnetare nga kontribut dhënësit”, ka thënë Ministria.

Tutje në njoftim thuhet se tërheqja e mjeteve do të bëhet në menyrë vullnetare dhe pas ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale në Kosovë.

“Ministria e Financave njofton qytetarët e Kosovës se tërheqja e mjeteve nga kontribut dhënësit nga Trusti i Pensioneve do të bëhet në mënyrë vullnetare sipas Programit të Qeverisë dhe Planit për veprim, të miratuar nga Qeveria për rimëkëmbjen ekonomike. Tërheqja e mjeteve nga kontribut dhënësit mundë të bëhet pas ndryshimit të Ligjit për fondet pensionale të Kosovës”, thekson MF.

Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një projektligj, i cili përveç zbatimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, do të mundësojë që kontributpaguesit të mund të tërheqin një shumë të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, më 3 qershor, në ditën kur është bërë kryeministër, në deklarimin e tij para Kuvendit të Kosovës pati thënë se në programin qeverisës në një nga masat e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, (pako për zbutjen e pasojave që ka pasur pandemia Covid-19), ka paraparë ta fusë në ekonomi një përqindje të Fondit.