Ministri Zemaj tregon se a ka Kosova mjaftueshëm rezerva të oksigjenit për pacientët me COVID-19

Asnjë kompani nuk ka aplikuar në thirrjen publike të institucioneve të Kosovës për të blerë oksigjen.

Kjo ka ngjallur diskutime nëse Kosova ka mjaftueshëm oksigjen për t’u përballur me pandeminë e COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në intervistën përballë Jeta Xharrës tha se ka furnizim stabil të oksigjenit, mirëpo, sipas tij, këtë problem e kanë edhe vendet e rajonit.

“Nga raportet që kem nga ShSKUK, ngarkesat me furnizim me oksigjen kanë qenë dhe janë evidente. Furnizimi me oksigjen ka qenë i ngarkuar edhe në rajon, sigurisht për shkak të përdorimit të shumtë në pandemi. Momentalisht, e kemi një furnizim stabil, jo që kemi komoditet të mjaftueshëm. Por e rëndësishme është që asnjë pacient të mos mbetet pa oksigjen”, tha Zemaj.

 

Ministri e ka konfirmuar se janë disa kompani në Kosovë që kanë aplikuar për licencë të prodhimit të oksigjenit dhe shumë shpejt pritet të pajisen me licencë.

“Janë disa kompani që mund të prodhojnë, por janë në vlerësim për t’u licencuar. Nga informacionet që kam, është shumë afër licencimi i këtyre kompanive. Nuk e di se sa ka Kosova rezerva të oksigjenit, por furnizimi është stabil”, tha tutje ai.

Kosova i shpenzon 1.2 milion euro për të blerë oksigjen