Ministri i Drejtësisë i Danimarkës javën e ardhshme vizitë zyrtare në Kosovë

Ministri i Drejtësisë në Mbretërinë e Danimarkës, Peter Hummelgaard do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë javën tjetër.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Drejtësisë e Kosovë, Albulena Haxhiu në Kuvend teksa po prezantonte projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Haxhiu tha se kjo marrëveshje do duhej të futet në rend të ditës pas vizitës së ministrit danez.

“Sa i përket marrëveshjes ndërkombëtare për Mbretërinë e Danimarkës, më lejoni të ju njoftoj që ministri i Drejtësisë së Danimarkës do të jetë në Kosovë në vizitë zyrtare me 12 dhe 13 shkurt. Qëllimi i kësaj vizite është që të takohet sërish me neve si institucione por edhe  me grupet parlamentare dhe mendoj që kjo marrëveshje duhet të futet në rend dite pas vizitës së ministrit të Mbretërisë së Danimarkës”- u shpreh ministrja Haxhiu.

Më 27 prill 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan që në Kosovë të vijnë 300 të burgosur nga Danimarka, pasi ky shtet po tenton që të reduktojë mbipopullimin e burgjeve.

Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh dhe Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro.