Ministri Aliu ende nuk jep datë se kur përfundon autostrada Prishtinë – Gjilan

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është pyetur në seancën e Kuvendit për datën e përfundimit të autostradës së Gjilanit dhe rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

Aliu ka thënë se në këtë pyetje dhe pyetje tjera që kanë të bëjnë më projekte infrastrukturore nuk mund të flas me data.

“Në pyetjen e juaj dhe pyetjet që kanë të bëjnë më projektet infrastrukturore se kur do të përfundojnë është e vështirë të përgjigjemi me datë. Nuk mund të jap përgjigje për autostradën e Gjilanit, sepse ajo duhet të auditohet në hollësi. Në secilën metër të saj dalin probleme të reja që kanë origjinën që nga projekti, që nga shpronësimet që duhet të auditohen” – ka thënë ministri Aliu sot në Kuvend.

Ai tutje ka shtuar se një shkaktar tjetër i vonesave në punë është edhe rritja e çmimeve.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka insistuar të marrë një përgjigje lidhur me datën e përfundimit të kësaj autostrade, por ministri Aliu nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërsa, për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Aliu tha se ka shkelje që janë edhe gjetje të auditorit.

“Punimet në këtë segment të rrugës më gjithë përpjekjet e shumta kanë vazhduar, problemet e shpronësimit janë zgjidhur, problemet e pengesave janë zgjidhur bashkë me Policinë e Kosovës, nga ana e autoritetit të buxhetit. Rruga Prishtinë-Mitrovicë i ka telashet e njëjta që kanë dal edhe nga auditori, për të cilat mbase do të ketë hetim” – ka thënë ai.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në konferencë për media të hënën është pyetur për autostradën e Gjilanit.

Aliu tha se në katër autostradat më të mëdha që janë duke u ndërtuar ka probleme serioze në projektimin e tyre dhe procesin e shpronësimeve.

Ministri i Infrastrukturës tha se ka raste kur shpronësimi për një urë apo kalim të caktuar në njërën nga autostradat është bërë krejt diku tjetër nga se ka qenë ajo urë.