Kryesia e LDK, Foto: KALLXO.com

Ministrat e LDK-së të Qeverisë Kurti që mund të mbajnë të njëjtat pozita në Qeverinë Hoti

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, të martën pasdite prezantoi kandidatët që do të kenë poste në Qeverinë që mund të drejtohet prej tij.

Në mesin e të propozuarve janë edhe emrat të cilët aktualisht drejtojnë ministri në Qeverinë në detyrë, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Besian Mustafa mund të vazhdojë të jetë ministër i Bujqësisë, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës e Anton Quni – ministër i Mbrojtjes.

Ndërkaq, Hykmete Bajrami që aktualisht drejton Ministrinë e Arsimit, pritet të jetë ministre e Financave.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, është kandidat për zëvendëskryeministër, dhe deputeti Armend Zemaj është propozuar të jetë ministër i Shëndetësisë.

Kurse, Agim Veliu është propozuar për ministër të Punëve të Brendshme, pozitë të cilën e mbajti për pak kohë në Qeverinë LVV-LDK, pasi u shkarkua nga eprori i tij Albin Kurti.

Shkarkimi i Veliut pasoi me rrëzimin e Qeverisë Kurti përmes një mocioni të mosbesimit iniciuar nga LDK-ja, më 25 mars 2020.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, i cili aktualisht drejton Ministrinë  e Infrastrukturës dhe Ambientit, nuk ka pranuar të marrë post ministror në Qeverinë Hoti.

Për këtë ministri është caktuar bashkëpartiaku i tij, Arban Abrashi, i cili kohë më parë kishte drejtuar Ministrinë e Mirëqenies Sociale.