Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Deklarata e Kurtit që nxiti reagimin e ministrave të LDK-së në mbledhjen e Qeverisë

Një deklaratë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë  për 100 ditëshin qeverisës, ka nxitur reagimet e disa prej ministrave në detyrë që vijnë nga radhët e LDK-së, të cilët thanë se u ndjenë të ofenduar.

Kurti në fjalimin e tij drejtuar kabinetit qeveritar, kur foli për rrëzimin e Qeverisë, fajësoi atë që e quajti “regjimin e vjetër” që ka qeverisur për 20 vjet.

“Fatkeqësisht, pasi gati 15 viteve të qëndrimit në opozitë, ende pa i bërë 50 ditë pune, si subjekt fitues i zgjedhjeve, na u bënë bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vite në Kosovë, vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe një qeveri që nga çdo parametër është treguar e suksesshme duke përfshirë edhe menaxhimin e pandemisë”, tha kryeministri në detyrë.

“Pse gjithë ky inat, pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeminsitrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve të ndershëm?”, shtoi Kurti.

Pas kësaj deklarate, në fjalën e tyre reaguan ndaras ministrat Hykmete Bajrami, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.

Fillimisht, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami i ka kërkuar kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, që si ministra të LDK-së të lejohen të vazhdojnë punën përkundër përplasjeve politike që kanë pasur pas rrëzimit të Qeverisë më 25 mars me mocionin e nisur nga LDK-ja.

“Nuk mund të konsiderohemi ministra të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë një regjimi të vjetër, na lejoni që të bëjmë punën të japim maksimumin dhe të jemi në shërbim të qytetarëve”, tha Bajrami.

Më pas, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, i cili vjen nga radhët e LDK-së, tha se është ndjerë i ofenduar nga pjesa e fjalimit të kryeministrit në detyrë.

Abdixhiku në mbledhjen e Qeverisë për 100 ditëshin në qeverisje tha se një pjesë e fjalimit ka ofenduar LDK-në.

“Unë me ju thënë të drejtën u ndjeva i ofenduar prej pjesës së fjalimit që ofendon LDK-në dhe po besoj se siç e patë bashkë me pjesën tjetër të kabinetit, nuk u bëmë pjesë e një diskutimi të tillë sepse përderisa përfaqësojmë Qeverinë e Kosovës, përfaqësojmë çdo qytetar tanë pavarësisht bindjeve tona politike dhe ndoshta kjo është pjesë e kulturës sonë partiake”, tha ai.

Ai ka shtuar se çdo fyerje ndaj LDK-së, është e tillë edhe ndaj ministrave në detyrë që vijnë nga kjo parti.

“Pothuajse gjysma e kabinetit këtu përfaqëson një kulturë dhe një forcë politike të dhënë dhe e përfaqëson me krenari dhe përfaqësojmë Lidhjen Dermokratike të Kosovës. Prandaj çdo lavdatë ndaj punës sonë është lavdatë edhe ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj LDK-së është kritikë edhe ndaj neve, çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje edhe ndaj neve”, tha ai.

Edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa në mbledhjen e Qeverisë, ku janë duke u prezantuar raportet 100 ditore të Qeverisë Kurti, i ka dhënë një mesazh shefit të tij të Qeverisë, Albin Kurti.

Mustafa tha se është krenar që është pjesë e LDK-së, edhe pse gjatë kësaj kohe që nga shkarkimi i qeverisë, ministrat e LDK-së, sipas tij, nuk kanë bërë politikë por kanë kryer punë.

“Duke iu falënderuar për bashkëpunimin, dua të theksoj se ne anëtarët e kabinetit qeveritar që vijmë nga radhët e LDK-së, gjatë kësaj kohe nuk kemi bërë politikë, por kemi dhënë maksimumin tonë në ministritë që i udhëheqim. Si pasardhës i njërit nga 3 themeluesit e LDK-së, unë jam krenar që jam në LDK dhe i tillë do të mbetem”, është shprehur Mustafa.

Qeveria Kurti u rrëzua me 25 mars nga një mocion i mosbesimit që u inicua nga LDK-ja.