
Takimi i kryetarëve të degëve të LDK-së Foto: LDK
Këta janë të propozuarit e LDK-së për ministra në Qeverinë Kurti
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur gjatë ditës së sotme se cilët do të jenë emrat që do të propozohen për ministra në Qeverinë Kurti.
KALLXO.com mëson nga burime brenda LDK-së se nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është i propozuari për ministër të Brendshëm, ndërsa deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, për zëvendëskryeministër.
Zëdhënësi i LDK-së dhe deputeti i legjislaturës së shtatë, Besian Mustafa pritet të jetë ministër i Bujqësisë, Anton Quni për ministër të Mbrojtjes dhe Lumir Abdixhiku pritet të jetë ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.
Dy gratë e propozuara për ministre, nga radhët e LDK-së janë, Vlora Dumoshi që pritet të jetë në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Hykmete Bajrami që do të udhëheqë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Këta emra janë propozuar në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, e mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.
Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.
Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.
Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.
Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë Kurti kishte propozuar Haki Abazin, ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiun, ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Blerim Rekën, për ministër të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarin dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitinë.
Këta janë emrat që ka propozuar Kurti para se të arrihej marrëveshja për koalicion qeverisës, sipas të cilës, të dy partive do t’iu takojnë nga 6 ministri.
Përveç pesë ministrive të cilat Kurti i ka bërë të ditura më herët që do t’i takojnë Vetëvendosjes, Ministria e Integrimeve Evropiane do të jetë ministria e gjashtë që do të udhëhiqet nga Vetëvendosja.
KALLXO.com ka provuar gjatë ditës së sotme të konfirmojë emrin e ministrit të Integrimeve Evropiane të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe po ashtu edhe pozitën që do ta ketë në ekzekutiv Glauk Konjufca, pas largimit nga pozita e kryetari të Kuvendit, por nuk ka marrë përgjigje.