Mimoza Kusari-Lila intervistohet rreth procesit të privatizimit të KEDS, deputeti i PDK-së i kërkon falje

Intervistimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila për sqarimin e një deklarate në një televizion për procesin e privatizimit ka dështuar.

Kjo pasi kërkesa e deputetit nga PDK, Gazmend Bytyqi, anëtarë në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, është tërhequr për shkak se ka dalë që nuk është i saktë pretendimi se Kusari-Lila ka deklaruar që “PDK ka qenë shkatërruese në procesin e privatizimit”.

Deputeti Gazmend Bytyqi pas vërtetësisë së deklaratës nga Komisioni i ka kërkuar falje deputetes Kusari-Lila, pasi ajo deklaratë ka qenë nga dikush tjetër në një studio televizive në vend.

Megjithatë, deputeti nga PDK ka kërkuar që intervistimi i deputetes të ndodhë sot si ish-ministre, pasi siç ka thënë ai, Kusari-Lila ka qenë pjesë e procesit të privatizimit të KEDS-it. Për të njëjtin proces është intervistuar për më shumë se dy orë edhe ish-ministri Besim Beqaj.

Ndërsa, deputetja Kusari-Lila, e cila bën pjesë në grupin e ish-ministrave për aktakuzën e ngritur për procesin e privatizimit të KEDS-it rrjedhimisht edhe të hidrocentraleve ka deklaruar se ka pasur shumë zhurmë për ato hidrocentrale.

“Aktakuza është në proces, është publike, nuk kam çka të shtoj në këtë drejtim. E shoh të paarsyeshme me qenë pjesë e raportimit të privatizimit përderisa është një aktakuzë për pesë ish-ministra”, ka deklaruar ajo.

Komisioni ka vendosur që të ftojë për intervistë të gjithë anëtarët e ish-Këshillit Ndërministror të privatizimit të ndërmarrjeve publike, në këtë rast të KEDS-it.

Komisioni pritet të intervistoj Ilir Salihu, ish-zëvendësdrejtor në AKM./RTV21