Flamuj të Serbisë në Mitrovicën Veriore - Foto: REL/Reuters

Qytetarët e veriut nuk paguajnë taksa, shteti ua paguan rrymën e ujin

Në katër komunat veriore, qytetari mund të ndërtoj shtëpi apo banesë kudo e kurdo pa pasur nevojë për leje ndërtimore, pasi një të tillë nuk e kërkojnë zyrtarët e këtyre komunave, madje nuk u kërkohet as pagesa e tatimit në pronë si burim kryesor i të hyrave vetjake komunale, pasi që këto komuna hezitojnë ta respektojnë Ligjin për Tatimin në Pronë dhe atë të Lejeve të Ndërtimit. Por jo vetëm kaq. Shteti i Kosovës u ofron rrymë dhe ujë falas sepse mbulon në tërësi mos pagesën e faturave në veri të vendit. Shpenzimet e rrymës në këto katër Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, llogaritet të jenë 12 milionë euro në vit, e me qindra mijëra janë edhe ato për shpenzimin e ujit. Shpenzimet e rrymës fillimisht paguheshin nga qytetarët e komunave tjera të Kosovës, duke ua shtuar direkt në faturat e përmuajshme si kosto shtesë. Më pas, nëpërmes një vendimi ato u bënë barrë qeveritare.

Javën e kaluar, respektivisht në mbledhjen e datës 28 prill 2021 të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, u zhvillua debat lidhur me rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore  të Kosovës.

Propozimi i deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, që për gjashtë muajt e ardhshëm KOSTT të marrë përsipër shpenzimet e pagesës së rrymës dhe jo Qeveria, u mbështet me  6 vota pro. Sipas propozimit, për Qeverinë mbeti obligim shtrirja e autoritetit në fushën e energjisë brenda gjashtë muajve.

Propozimi ishte që të lirohet Qeveria e Kosovës nga përgjegjësia për pagesën e 11 milionë eurove të kërkuara nga KOSTT. Sipas saj, e gjitha u bë meqë KOSTT ka mundësi financiare të mbulojë këtë shumë deri në një zgjidhje afatgjate.

Deputetët e opozitës ishin kundër këtij propozimi, në anën tjetër drejtuesit Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT), kompani kjo publike me 100 % të aksioneve shtetërore, thanë se kanë mjete të mjaftueshme nga të hyrat për të realizuar pagesën.

Më vonë, kreu i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës hodhi akuza për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës. Shala paralajmëroi se PDK do ta thërrasë në interpelancë ministren e Ekonomisë.

“Besoj tashmë të gjithë jeni të informuar për një dëm të madh milionësh që po i bëhet buxhetit të Kosovës, e drejtpërdrejt taksapaguesve të Kosovës. Ky dëm po vjen pikërisht nga deputetët e Vetëvendosjes të cilët votuan në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që të ndahen 11 milionë euro për pagesën e rrymës për serbët në veri. Ky është vazhdimi i avazit të Qeverisë Kurti 1 kur u patën ndarë 10 milionë euro për pagesën e rrymës së serbëve në veri. Fatkeqësisht u injorua thirrja jonë në Komision për të ndalë këtë rrjedhje të parasë publike në drejtim të komunave veriore dhe që të gjendet një zgjidhje më kreative”, citohet të ketë thënë Shala.

Madje kjo parti thotë se Qeveria ua hoqi shtesat prej 30 eurove pensionistëve në mungesë të parave t’i ndaj ndajë për pagesën e rrymës së serbëve në veri të Kosovës.

Që Qeveria ta gjej një zgjidhje të shpejtë për pagimin e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri, ka kërkuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Në vitin e kaluar, vitin 2020, u raportua se Ministria e Financave kishte ndarë 15 milionë euro për shpenzimet e rrymës në veri të vendit, por Ministria e Financave mohoi një gjë të tillë.

raportin e auditorit për pasqyrat financiare të KOSTT për vitin 2019, raport i fundit i publikuar në sajtin zyrtar të kësaj ndërmarrjeje, përmendet se gjatë vitit 2018, me vendim qeveritar, Kompania ka marr grant prej 1 milionë eurove për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energjisë elektrike për katër komunat veriore të Kosovës.

Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Ndryshe, me pavarësimin e Kosovës nga SMM ku bëjnë pjesë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Kosova kontrollon kufijtë e vetë energjetikë dhe bashkohet me bllokun rregullues energjetik me Shqipërinë.

Kësaj i parapriu marrëveshja e re e lidhjes në mes të KOSTT dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO)

Pavarësimin energjetik të Kosovës, Ambasada Gjermane e kishte konsideruar si moment historik.

Deri në vitin 2017, qytetarët e qyteteve tjera të Kosovës paguanin për rrymën e shpenzuar në veri e më vonë Qeveria.

Pas padisë që Avokatit të popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës në muajin shtator të viti 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet shpenzimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore, ndërsa nga paslufta e këndej shuma për rrymë në këto komunë vlerësohej se është qindra milionëshe.

Tutje edhe Serbia njëkohësisht përfitonte miliona euro si pronare e transmisionit me ndikim edhe në çmimin e importit të energjisë elektrike.

Vetëm në vitin 2017, sipas një përgjigje të KOSTT për KALLXO.com, operatori serb EMS kishte inkasuar 9.6 milionë euro.

“Konkretisht për vitin 2017 në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar 9.6 milion euro”, thuhej në përgjigjen e KOSTT.

Nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme Serbia ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se ka grumbulluar rreth 65 milionë euro të hyra.

Nga 14 dhjetori i vitit të kaluar kur KOSTT ka filluar të operoj si i pavarur, Serbia vazhdon ta bllokoj transmetimin në kufirin energjetik Kosovë – Serbi, për çka pretendohet se do të ndikojnë në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Jo vetëm rryma por edhe uji e taksat

Katër komunat veriore të Kosovës nuk paguajnë edhe për shërbimet ujësjellësit. Raporti i auditorit për sistemin e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike, termike dhe të ujit, i vitit 2019, gjithashtu bën të ditur se Qeveria e ka mbuluar pagesën e këtyre faturave. Në vitin 2018, nga buxheti i Kosovës Qeveria ka ndarë 580,000 euro, në vitin 2017 me 987,201 euro ndërsa në vitin 2016 kishte ndarë 817,000 euro. Madje përkundër subvencionimit në pasqyrat financiare ende figurojnë si borxhe dhe deri në fund të vitit 2018 ishin gjithsej rreth 14 milionë euro.

Katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok gjithashtu hezitojnë të zbatojnë edhe ligjin për tatimin në pronë dhe atë për lejet ndërtimore.

Auditori i Përgjithshëm kishte konsideruar si qasje injoruese të zyrtarëve të këtyre komunave për të përfituar nga shërbimet e tyre për rritjen e të hyrave dhe sigurisë së mirëqenies, si dy burime kryesore të saj.