Millo Gjukanoviq - Foto: REL

Millo Gjukanoviq nesër në Kosovë, Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut

Me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të vijë nesër për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Presidenti i vendit fqinj do të pritet me nderimet më të larta shtetërore në ora 10:00 në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Më pas dy presidentët do të mbajnë një takim, pas të cilit do të mbajnë konferencë për media.

Kurse, Policia e Kosovës ka njoftuar se nesër e pasnesër, gjatë vizitës së Gjukanoviqit dhe delegacionit të tij, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare dhe nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare.

Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.