Mësohet sa para do kushtojnë zgjedhjet për kryetar të Podujevës

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e radhës e Komisioni Qendror Zgjedhor në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës.

Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti paraqiti planin e buxhetit.

Ky buxhet do të jetë 491,517.00 euro për dy raunde, pra edhe për raundin e balotazhit nëse ka një të tillë.

“Ne sot në këshillin për buxhet e kemi analizuar planin e buxhetit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshëm për Kryetar të Komunës së Podujevës. Kemi pasur një prezantim të mirë nga sekretariati. Plani i buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshëm është e paraparë edhe si projekt buxhet e ka edhe variantin nëse do të ndodh balotazhi, unanimisht e kemi votuar në Këshillin për Buxhet dhe i propozojmë që të aprovohet dhe të procedohet në qeveri sepse menjëherë vijnë afatet që duhet me u zhvillu procedurat”, tha Hamiti.

Propozimi për buxhetin e ndarë për zgjedhjet në këtë komunë u aprovua më shtatë vota për, një kundër dhe një abstenim.

Arianit Elshani, anëtar nga radhët e PDK-së në KQZ, tha se propozimi që të ketë shtesa për përfaqësuesit e partive politike nuk duhet të miratohet.

“Jam dakord që shtesat e zyrtarëve të angazhuar me orar të zgjatur të punës, jam dakord që shtesat të bëhen për punëtorët në sekretariatin e KQZ që e meritojnë në këtë angazhim ndërsa sa i përket përfaqësuesve në këtë rast neve përfaqësuesve të partive politike, jam kundër që të shtohen këto paga në lidhje me aktivitetet që zhvillohen gjatë kësaj kohe”, tha Elshani

Sami Hamiti tha se propozimi kishte ardhur pikërisht nga PDK.

“Asnjë lëvizje në të gjitha përvojat dhe praktikat që kanë qenë më parë, nuk ka ndryshim. Dhe mund të themi tash mund të luajmë pozitën e opozitën, këto propozime për këto shtesa pikërisht kanë ardhur nga partia që ti përfaqëson”, tha Hamiti.

Elshani u përgjigj se kjo pikë duhet të ndryshohej.

“Kjo nuk është propozu prej anës tonë. Prap them buxheti, në pikat e tjera të kaloj por në këtë pikë duhet të bëhen ndryshime”, tha Elshani.

Fushata në Podujevë do të zgjas 11 ditë, prej datës 3 deri në datën 13 mars.

“Aplikimi i partive për certifikim të subjekteve politike që janë të interesuara të garojnë fillojnë më 8 shkurt deri më 17 shkurt”, tha Daka tutje.

Eshref Vishi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se do të ishte më mirë të ketë një afat më të shkurtër për fushatë.

“Kam rezervat e mia 11 ditore, kemi vetëm një komunë jo shumë komuna do të ishte mirë që ky afat të jetë më i reduktuar por megjithatë Këshilli për Opercionale Zgjedhore e ka shqyrtuar këtë punë por mendoj se më efikas dhe më funksional do të ishte një afat më i shkurtër, një javë ose 10 ditë”, tha Vishi.

Këto zgjedhje do të mbahen pa vendimit që Kryetari i tanishëm i po të njëjtës komunë, Agim Veliu ka marrë mandat të jetë Ministër i Punëve të Brendshme.

Data e caktimit të zgjedhjeve është përzgjedhur në mars më saktësisht më datë 15.

KQZ tregon sa do të zgjasë fushata elektorale për kryetar të Podujevës

.