Një qytetar duke votuar - Foto: Atdhe Mulla

Tenderi i trashëguar: KQZ-ja kontrakton kompaninë e njëjtë në gjashtë palë zgjedhje

Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të shpenzojë 33 mijë euro për blerjen e kabinave të votimit. Kontrata i është dhënë kompanisë “Diari” që e kishte këtë tenderë edhe në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme dhe atyre lokale.

Tenderi për blerjen e kabinave për zgjedhjet e 14 shkurtit është zhvilluar me procedurë të negociuar në të cilën janë ftuar 3 operatorë ekonomik që të ofertojnë.

Kompania Diari me të cilin ishte nënshkruar kontrata në vlerë 31 mijë e 410 euro nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë. Biznesi “Blendi O.P” kishte ofertuar vetëm 27 mijë e 900 euro apo 3 mijë e 500 euro më lirë se sa oferta e kompanisë “Diari”.

“Blendi O.P” është eliminuar nga gara me arsyetimin se e njëjta nuk ka dorëzuar edhe mostrën e kërkuar në dosjen e tenderit.

KQZ-ja i ka blerë kabinat e votimit nga kompania “Diari”, edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale por edhe ato lokale.

E njëjta kompani kishte fituar tenderin për furnizim me kabina për votim në zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtur me 6 tetor 2019. Vlera e kontratës që ishte nënshkruar me procedurë të negociuar ishte 35 mijë euro.

Kompania “Diari” e kishte furnizuar me kabina për votim KQZ-në edhe në dy palë zgjedhje të mbajtura në vitin 2017. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit 2017, Kompania ‘Diari’ e kishte fituar kontratën me shitjen e kabinave tek KQZ-së në vlerë 32 mijë e 400 euro. Procedura e tenderimit për furnizim me kabina kishte qenë e hapur.

Kabinat e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, buxhetit të vendit i kanë kushtuar 30 mijë e 960 euro. Edhe këtë vit, furnizimin me kabina e kishte bërë kompania ‘Diari’, por kësaj radhe me procedurë të negociuar .

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i kompanisë ‘Diari’, Bekim Murati ka thënë se arsyeja përse KQZ-ja ia beson këtë furnizim është se janë ‘gjithmonë të përgjegjshëm’.

Murati ka thënë se pas përfundimit të zgjedhjeve, kabinat nuk i merr kompania por mbesin tek KQZ-ja.

“Ato kabina mbesin në KQZ, nuk i merr kompania dhe nuk e dimë se çfarë ndodhë me to”, ka thënë shkurt ai.

KALLXO.com ka raportuar se kjo kompani ishte kontraktuar për furnizim me kabina votimi edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2014-ës, me vlerë të kontratës prej 26 mijë e 120 eurove dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në vlerë të kontratës prej 21 mijë e 840 eurove.

Zgjedhjet e Sivjetme Rrisin Shpenzimet