Mediat në Graçanicë i reagojnë Shpend Ahmetin lidhur me varrimin e gruas serbe

Varrimi i një gruas serbe që vdiq sot në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë ka nxitur kundërthënie mes institucioneve të Komunës së Prishtinës dhe disa personave në Graçanicë lidhur me atë se kush u mor me varrimin e saj.

Fillimisht Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte bërë një postim në Facebook ku ka  bërë të ditur se viktima ishte e vetme dhe nuk kishte asnjë të afërm.

Ahmeti ka thënë se në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës është organizuar varrimi i të ndjerës.

“Së bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falenderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerzillaku është më i rëndësishëm”, ka shkruar Ahmeti.

Megjithatë, pas këtij publikimi ka pasur reagime duke përfshirë një artikull në portalin “Graçanica Online”në të cilin thuhet se varrimi i të ndjerës është bërë me organizim privat nga një asambliste e komunës dhe disa qytetarë, te varrezat ortodokse.

Pas kësaj, ka reaguar edhe vetë Shpend Ahmeti duke pranuar se në fakt Bashkësia Islame ka bërë vetëm transportin dhe jo varrimin.

“Pash reagime nga webfaqe serbe! Ky është reagimi im i fundit në lidhje me këtë nga respekti për qytetaren R.Z. të ndjerë e cila nuk meriton përmendje të tillë pas vdekjes.Nuk është varrimi kredit për askënd, e as akuzë për dikënd. As nuk është garë. Shtëpia e Pleqeve e ka thirrë BIK-un dhe ata neve, pastaj ne e kemi thirrë komunën e Graçanicës ku personalisht është marr një zyrtare por si qytetare”, ka njoftuar Ahmeti.

Ai tutje ka bërë të ditur se në këtë rast ka ndihmu edhe OSBE-ja.

“BIK-u e ka dërgu arkivolin, e kanë transportu deri te varrezat ortodokse bashkë me krejt çka është kërkuar. Ideja ka qenë me falenderu Bashkesinë Islame qe nuk janë marrë me elemente fetare dhe gjëra të tilla, por vetëm kanë ndihmuar. Për neve si Komunë është përgjegjësi. Për BIK është edhe vullnet edhe thirrje për harmoni. Për tu aplauduar toleranca”, thuhet në reagimin e Ahmetit.

Ai tutje në postimin e tij ka shkruar se atij nuk i bënë përshtypje se a është shqiptare apo serbe.

“Më bën përshtypje se si dikush mbetet vetë, pa askënd dhe pa ndihmë. Sikurse ndër viktimat e para të Covidit që ishte bashkëqytetari shqiptar që nuk kishte njeri për ta varrosur ashtu edhe sot e ndjera Radmila”, thuhet në postimin e Ahmetit.

Në reagimin e tij, Ahmeti ka thënë se postimi i tij ishte thirrje për mirëkuptim e jo për inat.

“Prandaj, le të jetë komuna e Prishtinës apo Graqanicës, e le të jetë edhe Kisha Ortodokse organizatorja. Por mos ja humbni veprimin e mirë BIK-ut”, thuhet në reagim.

KALLXO.com raportoi sot për rastin e vdekjes së të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë.

E moshuara e vetmuar vdes në Shtëpinë e Pleqve, Komuna dhe BIK organizojnë varrimin