Të shtëna me armë zjarri në rrugën e Plastikave në Çair, Foto: Portalb.mk

Media lokale: Një i vdekur dhe dy të plagosur nga të shtënat të dielën në Shkup

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një përleshje të ndodhur të dielën në mbrëmje (26.05.2024) në Shkup, raporton portalb.mk.

Sipas medias lokale, fillimisht u raportua në polici në orën 23:40 se ka pasur të shtëna me armë zjarri në bulevardin “Nikolla Karev” dhe se u njoftua se kanë mbetur të plagosur disa persona.

Në orën 23:51, Qendra Emergjente njoftoi se pranë tyre janë sjellë 2 persona, gjithashtu me plagë nga armë zjarri.

Prokuroria Publike e ka konfirmuar rastin dhe njoftoi se janë kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe është lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve.

“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, së bashku me ekipet hetuese të MPB-së, gjatë natës kanë kryer hetim në bulevardin ‘Nikolla Karev’, ku nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vrarë një person, ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë duke u ndërmarrë veprime të tjera. Ministria e Punëve të Brendshme po punon për zbulimin e autorëve”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë./portalb.mk