ARKIV: Fotografi nga migrimi në fund të 2014-ës dhe fillim të 2015-ës

Mbi 15 mijë kosovarë morën viza puna në Slloveni për 4 vite

Në 2014 Kosova u përballë me një eksod të madh, kur një numër i madh i të rinjve, por edhe të moshave të tjera, përmes rrugëve ilegale shkuan në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Shumë prej tyre janë kthyer, pasi nuk kishin arritur të sigurojnë leje qëndrimi në ato shtete.

Disa vite më vonë, ikja e qytetarëve nga Kosova “u bë shumë më e lehtë”.

Shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë hapur rrugë për qytetarë të shteteve të tjera që duan të punojnë.

Për shkak të situatës ekonomike, qytetarët e Kosovës e kanë shfrytëzuar këtë mundësi që e kanë ofruar vendet e BE-së.

Kroacia, Gjermania e Sllovenia janë disa prej shteteve në të cilat ka pasur lëvizje të madhe të qytetarëve kosovarë viteve të fundit.

KALLXO.com ka kontaktuar me ambasadën e Sllovenisë në Kosovë, të cilët kanë konfirmuar që për 4 vite (2018, 2019, 2020 dhe 2021) kanë lëshuar 28 mijë e 781 leje pune për qytetarët e Kosovës.

Për 4 vite, sipas ambasadës sllovene, janë 15 mijë e 291 kosovarë që kanë marrë leje qëndrim dhe leje të punës për herë të parë. Ndërsa 28 mijë leje të punës që janë lëshuar përgjatë këtyre 4 vieve, nënkupton që dikush nga këta ka mundur të marrë leje punë për së dyti, treti e kështu me radhë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ambasada e Sllovenisë në Kosovë ka thënë se këto leje janë për nevoja të punësimit.

“Të dhënat rreth lejeve të qëndrimit dhe të punës që janë lëshuar/vazhduar, përfshijnë lejet e qëndrimit dhe të punës që janë lëshuar/vazhduar për nevoja të punësimit, për nevoja të vetëpunësimit, për nevoja të punësimit mbi vepër, për nevoja të punës sezonale, mbi 90 ditë, për nevoja të punësimit sipas kualifikimeve të larta (karta blu e BE), për nevoja të kërkimit të punësimit apo vetëpunësimit, si dhe leje të qëndrimit dhe të punës për afat më të gjate për rezident të ndonjë shteti tjetër anëtar të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigje.

Vetëm në vitin 2021 janë lëshuar 5 mijë e 313 leje të para të qëndrimit dhe të punës për qytetarët e Kosovës për në Slloveni.

Në vitin 2018, 3 mijë e 102 sosh dhe në vitin 2019, 4 mijë e 504. Ndërkaq në vitin 2020 janë lëshuar 2 mijë e 372 leje të tilla.

Të dhënat e Ambasadës e Sllovenisë për KALLXO.com tregojnë se për katër vite janë vazhduar 12 mijë e 930 leje të qëndrimit dhe të punës.

Vetëm në vitin 2020 janë ‘rinovuar’ 4 mijë e 320 leje të qëndrimit dhe të punës ndërsa në vitin 2021, 3 mijë e 982 sosh.

Ndërkaq në 2018 janë vazhduar 1 mijë e 567 leje të qëndrimit dhe të punës për kosovarët në Slloveni dhe 3 mijë e 61 të tilla në vitin 2019.

Ambasada e Sllovenisë ka specifikuar edhe një kategori të lejeve të qëndrimit dhe të punës. Sipas tyre, 560 leje të qëndrimit dhe të punës janë lëshuar si leje e përkohshme.

KALLXO.com ka shkruar se gjatë muajit dhjetor dhe janar, mbi 105 mijë kosovarë kanë aplikuar për një vizë pune në Gjermani.

105 mijë e 601 kosovarë aplikuan për vizë pune në Gjermani brenda dy muajve