Mbeturinat që mbetën në sheshin "Adem Jashari", reagon shoqata që organizoi iftarin

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” mbrëmë, më 16.03.2024, ka organizuar një iftar në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Për këtë organizim sot reagoi drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, Bekim Brestovci, i cili ka kritikuar organizatorin pasi hapësirat e sheshit “Adem Jashari” nuk u pastruan pasi u shfrytëzuan për organizimin e iftarit.

Brestovci ka publikuar fotografi të mbeturinave dhe mbetjeve ushqimore, duke paralajmëruar gjoba dhe ‘futjen në listë të zezë të organizatorit”.

Pas kësaj ka reaguar shoqata që kreu gjithë organizimin, duke thënë se thasët me mbeturina janë shqyer nga qentë endacakë.

“Si organizator, menjëherë pas përfundimit të iftarit, aktivistët tanë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta pastruar sheshin, dhe të gjitha mbetjet nga iftari, janë futur në thasët për pastrim, si dhe janë hedhur te kontejnerët më të afërt. Por, gjatë natës, thasët e pastrimit, janë shqyer nga qentë endacakë dhe është krijuar ajo pamje, që është aspak e mirë për të gjithë ne” – thuhet në reagimin e Shoqatës “Bereqeti”.

Tutje u theksua se drejtoria e kësaj shoqate shpreh keqardhje dhe kërkon ndjesë për ndjesinë e krijuar, qoftë te zyrtarët e Komunës, të cilët i falënderon për mbështetjen, e po ashtu edhe te qytetarët e Prishtinës dhe te besimtarët.

Po ashtu, shoqata u zotua që herëve të tjera gjërat e tilla nuk do të përsëriten.

Mbeturinat që mbetën pas iftarit në sheshin ‘Adem Jashari’, drejtori i Shërbimeve Publike paralajmëron gjobë dhe futjen në ‘listë të zezë’ organizatorin

.