MAShTI lanson platformën e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lansuar plaftormën  e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta, e cila do të jetë aktive që nga nesër.

“Në vazhdën e organizimit të procesit të mësimit në distancë, në kontekstin e pandemisë COVID-19, MAShTI me mbështetjen e organizatës ‘Save the Children’, po e lanson platformën më të re “Arsimi gjithëpërfshirës” (arsimigjitheperfshires.rks-gov.net), me qëllim të ofrimit të mundësive për zhvillim socio-emocional dhe njohës të fëmijëve me nevoja të veçanta”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas MAShTI-it, platforma ofron aktivitete mësimore për fëmijë dhe materiale ndihmëse për prindër/kujdestarë ligjor, mësimdhënës dhe asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si parim themelor ka gjithëpërfshirjen e cila nënkupton jo vetëm përfshirjen fizike në shkollë, por edhe ofrimin e mundësive që të gjithë fëmijët të zhvillojnë aftësitë dhe potencialet e tyre individuale”, është thënë më tej.

Ministria ka sqaruar se aktivitetet mësimore janë të ndara sipas fushave të kurrikulës dhe fushave të aktiviteteve dhe se gjithashtu, platforma ofron tema dhe njësi konkrete, materiale didaktike, këshilla, video, udhëzime audio-vizuale, fleta pune dhe fotografi për të gjithë fëmijët bazuar në nivelet dhe aftësitë individuale.

“Përveç aktiviteteve mësimore, platforma ofron informata dhe materiale ndihmëse lidhur me qasjen ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, metodat bazike, vlerësimin dhe informata tjera të rëndësishme për zhvillimin social, emocional dhe psiko-fizik të fëmijës”, thuhet në njoftim.

“Çdo fëmijë ka karakteristika, interesime, aftësi dhe nevoja individuale për të mësuar, andaj ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë, mundëson ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, përmbushjen e arsimimit për të gjithë dhe mbi të gjitha, përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi”, thuhet më tej.

Mësim online në Kosovë është duke mbajtur të gjitha nivelet e arsimit, ku për nivelin 1-9 MAShTI ka përgatitur video-ligjërata që janë duke u transmetuar në RTK. KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Kurse, shkollat e mesme dhe fakultetet janë duke mbajtur mësim online sipas instruksioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Deri tek mbyllja e instituticioneve të arsimit erdhi për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend.