Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci premton angazhim për arsim gjithëpërfshirës

Ministrja e Arsimit, Arbrie Nagavci ka thënë se do të përkushtohet për një arsim gjithëpërfshirës, në mënyrë që të gjithë fëmijët në vend të kenë qasje në arsimim.

“Krahas zhvillimit të politikave, jemi të përkushtuar të punojmë në zbatimin e tyre në praktikë që nxënësit të edukohen dhe arsimohen në ambiente gjithëpërfshirëse, të cilat garantojnë zhvillim, socializim dhe arsimim të tyre, në mënyrë që të arrijnë të jenë të pavarur dhe të kontribuojnë për vete, familjet dhe për gjithë shoqërinë”, tha ajo gjatë një takimi vitual me rastin e lansimit të një projekti mbi ngritjen e arsimit gjithëpërfshirës.

Ky është postimi i plotë i saj në Facebook:

Dje isha pjesë e ngjarjes së lansimit të projektit të përbashkët BE/KiE-Ngritja e kapacitetit për Arsim Gjithëpërfshirës–INLCUDE, ku u lansua bashkëpunimi me 25 shkolla pilot që janë përfshirë në projekt me qëllim të krijimit të shkollave demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Projekti do të ndihmojë MAShTI-n dhe komunat në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve arsimore për të siguruar gjithpërfshirje të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsim. Ky projekt, financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.

Në këtë takim virtual e theksova rëndësinë e gjithpërfshirjes në arsim të grupeve të margjinalizuara. Gjithëpërfshirja mbetet sfidë për të gjitha vendet që synojnë të realizojnë parimin e krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët pa dallim feje, kulture, race, gjinie e diversiteti e që është e drejtë themelore e çdo njeriu.

Krahas zhvillimit të politikave, jemi të përkushtuar të punojmë në zbatimin e tyre në praktikë që nxënësit të edukohen dhe arsimohen në ambiente gjithëpërfshirëse, të cilat garantojnë zhvillim, socializim dhe arsimim të tyre, në mënyrë që të arrijnë të jenë të pavarur dhe të kontribuojnë për vete, familjet dhe për gjithë shoqërinë. Jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat që kanë fëmijët që vijnë nga grupet e margjinalizuara, të cilët përballen kryesisht me barriera që vijnë nga faktorë të jashtëm dhe arsimi është rruga kryesore për shembjen e këtyre barrierave.

Përkushtim i yni i përbashkët  mbetet fuqizimi i mekanizmave për zbatimin e tyre, siç janë mësuesit mbështetës dhe asistentët, ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve për nxënësit me nevoja të veçanta, sigurimi i pajisjeve, ofrimi i bursave për nxënësit romë, ashkali dhe egjiptianë, që njëherësh janë edhe çështje të rëndësisë parësore të qeverisë sonë. Këto janë disa prej veprimeve që ne synojmë t’i avancojmë në mënyrë që të gjithë fëmijët të përfitojnë maksimalisht nga arsimi gjë që është një prej të drejtave themelore.

MASHTI në këtë rrugëtim ka pasur dhe ka mbështetjen e partnerëve vendorë e ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ka kontribuar shumë në fushën e arsimit me ekspertizë, fonde dhe në forma të tjera të mbështetjes, pjesëmarrjes në projekte regjionale për mes të cilave ne kemi pasur mundësi të marrim dhe shkëmbejmë përvoja me vendet e rajonit dhe me gjerë.

Ne zotohemi se do të punojmë se bashku që të arrihen të gjitha objektivat e parapara në projekt e të cilat do të ndikojnë në rritjen e përfshirjes dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit për të gjithë fëmijët përfshirë ata që vijnë nga grupet e margjinalizuara.