Shtëpia e Bardhë - Foto: REL/Wikipedia Commons

Marrëveshja "ekonomike" në konfliktin politik Kosovë- Serbi

Shtëpia e Bardhë në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vendi ku dy shtete të Ballkanit Perëndimor, Kosova e Serbia, kanë filluar negociatat për një marrëveshje. Temat për të cilat pritet të ketë ujdi është thënë të jenë kryesisht ekonomike. Por, edhe çështjet politike nuk janë përjashtuar.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë në një tavolinë përballë Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nën ndërmjetësimin e të emëruarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë tashmë ka filluar ndërsa nuk është konfirmuar ende se gjatë dy ditëve, më 3 dhe 4 shtator, pjesë e takimeve të jetë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Njohësi i çështjeve politike, Behlul Beqaj nuk pret që të premten mund të nënshkruhet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

“Rrethanat objektive nuk janë ne favor të marrëveshjes përfundimtare, por veprimet aventuriere që i ndërmerr presidenti Trump, nuk përjashtojnë edhe këtë mundësi! Marrëveshja finale duhet të jetë produkt i normalizimit të raporteve, ndërsa raportet tona janë abnormale”, ka vlerësuar Beqaj.

Kryeministri kosovar ka udhëtuar të hënën drejt ShBA-së vetë i teti. Me të janë edhe zëvendëskryeministrat, Albulena Balaj e Driton Selmanaj ndërsa nga ministrat, Meliza Haradinaj, Arban Abrashi e Selim Selimi. Përveç tyre, pjesë e delegacionit të Kosovës është edhe koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni dhe shefja e kabinetit të Hotit, Ardita Dushi.

Ekzekutivi kosovar kishte bërë ftesë edhe për partitë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje e Partinë Demokratike të Kosovës. Derisa partia e Kadri Veselit mbështeti procesin nën ndërmjetësimin e ShBA-së por refuzoi pjesëmarrjen, partia e ish-kryeministrit, Albin Kurti, refuzoi ftesën dhe e quajti jolegjitime përfaqësimin e Kosovës nga Hoti për të zhvilluar negociata me Serbinë.

Duke folur për peshën politike të delegacionit kosovar, politologu Behlul Beqaj thotë se ekipi negociues është prodhim i administratës amerikane.

“Pala kosovare është në funksion të skenarit të rishikuar amerikan. Pra , këta janë pjesëmarrës, vëzhgues, dëshmitarë, nënshkrues, potencialisht  edhe  kundërshtues të marrëveshjes e cila do t’i nënshtrohen pasojave të caktuara?!”, ka thënë analisti Beqaj për KALLXO.com.

Beqaj parashikon edhe situatën në rast se një marrëveshje eventuale mes Kosovës e Serbisë do të refuzohej nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Pesha politike e delegacionit kosovar është reflektim i realizimit të synimeve të administratës amerikane, ngase është krijuar me ndihmën e saj! Nëse eventualisht kundërshton kryeministri ndonjë marrëveshje për të cilën akordohet Serbia, shumë shpejt do të shkohet në zgjedhje”, thotë Beqaj.

Në vazhdimësi, kryeministri Hoti, por edhe amerikani Richard Grenell kanë thënë se takimi do të karakterizohet me ide për investime në ekonomi. Kjo, u tha se është njëra prej formave për të afruar bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ish-kryenegociatorja në dialogun që ndërmjetësohej nga Bashkimi Evropian, Edita Tahiri, ka thënë se në Uashington do të ketë edhe marrëveshje politike.

“Unë nuk besoj se në Uashington do të ndodhin vetëm marrëveshje të çështjeve ekonomike”, është shprehur Tahiri një ditë më parë në T7.

Sipas saj, takimi në Shtëpinë e Bardhë do të jetë një mundësi për të vendosur bazat e marrëdhënies fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe vetë kryeministri Hoti një ditë para takimit me të deleguarin special të Trump, Richard Grenell, takim i cili ishte parapr të ndodhte më 27 qershor të këtij viti, tha se për vendin tonë është e rëndësishme të hapën të gjitha temat e mundshme, kështu ai nuk përjashtoi hapjen e temave politike.

“Për neve është me interes që të imponohen të gjitha temat”, tha shefi i qeverisë kosovare.

“Nëse i shihni çështjet që i kemi pezull: dëmet e luftës, obligimet për të drejtat njerëzore, çështjet e të pagjeturve. Këto janë çështje që mund të zgjidhen mes dy shteteve të pavarura bazuar në konventat ndërkombëtare”, deklaroi nga ShBA, Avdullah Hoti.

Por, skeptik që ShBA-të do të sjellin ndonjë temë në tryezë nga e cila do të arrihet një marrëveshje përfundimtare është analisti Behlul Beqaj. Ai thotë se për tu arritur një marrëveshje përfundimtare duhet të ekzistoj edhe dëshira për implementim të saj.

“Veprimi nga pozicioni i fuqisë nuk sjell  rezultatin e dëshiruar, ngase fuqia asnjëherë nuk është aq e fuqishme për të realizuar synimin e dëshiruar, nëse ajo ndërkohë nuk shndërrohet në drejtësi dhe drejtësia në bindje të atyre që duhet të implementojnë! Pra , praktika me Sirinë,  Palestinën, Korenë Veriore… po tregojnë se duhet mbi te gjitha realizëm…”, vlerëson Beqaj.

Sipas tij, janë disa tema për të cilat pala kosovare nuk do të duhej të diskutonte më 3 dhe 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk është mirë të bëhet diskontinuitet nga procesi i nisur më 2011, ndonëse janë trashëguar tema, siç është  asociacioni, potencialisht të rrezikshme. Ristartimi nuk duhet të kuptohet si diskontinuitet ngase atëherë mund të hapet sërish tema e marrëveshjes që nënkupton elementin territorial”, ka thënë Behlul Beqaj.