Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Marrëveshja’ AAK-LVV në Kamenicë, tri drejtori dhe posti i nënkryetarit të Komunës për AAK-në

Në komunën e Kamenicës, kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj ka marrë mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)në garën e balotazhin përballë Qëndron Kastratit të PSD-së.

“Mbështetja” e AAK-së, Rahimajt nëse bëhet kryetar i Kamenicës do t’i kushtoj me 3 drejtori si dhe postin e nënkryetarit të komunës.

Kështu ka bërë të ditur, ish-kandidati i AAK-së për kryetar të kësaj komunë, Faton Jakupi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Jakupi parimisht ka thënë se me LVV-në janë dakorduar që AAK të marrë postin e nënkryetarit dhe 3 drejtori komunale.

“Pas zgjedhjeve do të bisedojmë për pozicionin që e merr AAK-ja. Është koalicion që bashkërisht e kemi bërë me LVV-në por që pozicionet që aleanca mundet me i marrë është prej numrit të votuesve që mundemi ne me suportu. Janë pozita të drejtorive dhe kryesisht është pozita për postin e nënkryetarit për mua, 3 eventualisht 4 drejtori mundemi më mbërri, varet nga votat, ky është dakordimi parimisht, para se ta nxjerrë këtë vendim të këshilli drejtues”, tha ai.

Faton Jakup në këtë mandat është nënkryetar i Komunës së Kamenicës nga marrëveshja e koalicionit me kryetarin aktual Qëndron Kastrati.

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Kamenicë më së shumti vota ka fituar Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate (PSD), me 32,52%, Kadri Rahimaj nga LVV ka marrë 31,01%, ndërsa Muhamet Kallaba nga PDK ka marrë 12,62% të votave.

LVV dhe AAK, bëhen bashkë në balotazhin për Kamenicë