Foto ilustrim: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës

Maqedonci: Kosova vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në AP të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas miratimit të rekomandimit në Asamblenë Parlamentare për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar në këtë organizatë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka theksuar se Kosova tashmë do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

“Nga sot me vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar të NATO-s. Pra nga tani, Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s”—ka shkruar Maqedonci.

Me këtë vendim, sipas tij, Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në AP të NATO-s.

“Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, gjë që sigurisht se do të ndikoj në stabilitetin e Ballkanit”- është shprehur ministri.

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

Pro këtij vendimi kanë votuar shumica e vendeve anëtare, një ka qenë kundër dhe 14 kanë abstenuar.

Anëtarët e asociuar, në këtë rast edhe Kosova, mund të paraqesin dhe të kërkojnë ndryshime në rezolutat e AP të NATO-s.

Veç kësaj, shtetet me këtë status, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Mirëpo, këto shtete nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e AP të NATO-s dhe as të nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asociuara në AP të NATO-s janë nëntë vende. Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Kosova avancon statusin në Asamblenë Parlamentare të NATO-s