Malisheva përuron fushën e parë ajrore në Kosovë, ateruan fluturaket e para që nga paslufta- VIDEO

Sot, më 15.06.2024, në fshatin Banjë të Malishevës, për herë të parë pas Çlirimit të Kosovës, është funksionalizuar fusha e parë ajrore për fluturime të aviacionit të përgjithshëm.

Pilotët kosovarë Armir Qorrolli dhe Alushan Bajrami janë të parët që ateruan në këtë fushë ajrore.

Për pilotin Qorroli ky fluturim është një moment historik dhe uron që kjo iniciativë të jetë veç fillimi për zhvillimin e aviacionit në Kosovë.

“Për ne është një moment historik, në vendin tonë për herë të parë kemi marrë një iniciativë së bashku edhe urojmë që ky të jetë veç fillimi”- thotë piloti Qorrolli.

Ndërsa, piloti Bajrami e konsideron shumë të rëndësishëm zhvillimin e aviacionit të përgjithshëm, duke thënë se ka kaluar kohë e gjatë dhe tani ka ardhur koha të merremi me këtë.

“Duhet me e zhvillu aviacionin e përgjithshëm në ketë vend se një kohë e gjatë ka shkuar edhe ka ardhur koha me u marrë më këtë punë. Ne jemi marrë që 10 vite me kolegët edhe tani i ka ardhur fundi. Por mbi të gjitha prapë po e them që ky aeroport i Malishevës ka me qenë aset shtetëror i Republikës së Kosovës”- deklaroi Bajrami.

Përveç punës shumëvjeçare të dy pilotëve, këtë projekt e ka mbështetur edhe Komuna e Malishevës, Autoriteti i Aviacionit të Kosovës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, KFOR-i dhe Aeroklubi i Shkupit nga Republika e Maqedonisë Veriore që kanë ndihmuar në përgatitjen e kësaj fushe ajrore.

Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, ishte bashkë me pilotin Qorroli gjatë fluturimit të parë dhe sipas tij kjo është një ditë jo e zakonshme, pasi që zbriti në fushën ajrore të qytetit të tij në Malishevë.

“Sot ishte një fluturim jo i zakonshëm sepse zbrita në Malishevë, zbrita në aeroportin e komunës time e cila gjatë gjithë historisë se saj ka dhënë shumë për Kosovën dhe shumë për lirinë dhe pavarësinë e saj”- tha Kastrati

Piloti Qorrolli, ndër të tjera thotë se për një pilot është e jashtëzakonshme kur fluturon në vendin e vet dhe tregoi për emocionet e tij kur preku tokën e Kosovës.

“Eksperienca gjithmonë kur fluturon një pilot në vendin e vet është jashtëzakonisht shumë e madhe edhe është një emocion shumë i veçantë për atë arsye ne bashkërisht me kolegun tim dhe kolegët tjerë fluturojmë në gjithë rajonin por kësaj here ishte me të vërtetë një ditë e veçantë kur erdhëm. Për herë të parë prekim një tokë të Kosovës në një aeroport jashtë aeroportit të Prishtinës”- tha Qorrolli.

Pjesë e këtij fluturimi ishin edhe inspektorët e AAC-së, të cilët monitoruan këtë proces.

Për Inspektorin e AAC-së, Manar Istrefi kjo ditë është historike pasi që për herë të parë pas luftës po hapet një fushë ajrore.

“Sot është një ditë historike për herë të parë pas luftës, 25 vite pas luftës po hapet një fushë ajrore”- thotë Istrefi.

Fusha ajrore e përuruar sot në Malishevë është një ndër 12 fushat tjera në Kosovë që kanë mbetur jashtë funksionit që nga pas lufta.

KALLXO.com për mos funksionalizimin e fushave të tilla ajrore ka raportuar edhe më herët – LINK