(VIDEO) Pilot që nga mosha 17 vjeçare

Krahas sfidës së udhëtimit nga kryeqyteti i Kosovës për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, nëntë vite më parë Armir Qorrolli në moshën 16 vjeçare filloi mësimet për t’u pajisur me licencë për vozitjen e aeroplanëve privat.

Pas një viti ushtrime në aeroportin e Stenkovecit në Shkup dhe 45 orë fluturime, i riu nga Prishtina është pajisur me Licencë Private të Pilotit, pasi që në Kosovë nuk ka një shkollë të licencuar për trajnim për pilot.

“Në moshën 17 vjeçare jam pajisë me Private Licencë, deri tash janë nëntë vite karrierë. Deri tash i numëroj rreth 700 orë fluturim, ku kam qenë pjesë e disa punëve të ndryshme, kam qenë me Aero Clubin në gjithë territorin e Ballkanit në punët të cilat kryhen nga ajri. Akademia e Aviacionit Civil për këtë licencë mua më ka zgjatë më shumë se një vit, për shkak të kohës”, ka thënë Armir Qorrolli.

Drejtori i Aero Club Skopje, Dejan Sazdovski tregon se mësimet për pilot në shkollën të cilën e menaxhon mund të fillojnë nga mosha 16 vjeçare, kur edhe ka filluar Armiri.

“Të gjitha shkollat që kanë të bëjnë me aviacionin mund të fillojnë trajnimin në moshën 16 vjeçare, por licenca mund të merret në moshën 17 vjeçare”, është shprehur Sazdovski.

Mirëmbajtja e licencës bëhet çdo dy vite, për këtë Qorrolli është përgatitur dhe i është nënshtruar testimit nga inspektor të aviacionit.

“Qëllimi i vizitës time sot në klubin sportiv, këtu ku edhe kam përfundu akademinë është mirëmbajta e licencës. Këtu ku dhe kam përfundu edhe akademinë është edhe mirëmbajtja e licencës që çdo pilot e ka dy vite apo së paku për licencën që posedoj unë dhe çdo posedues i kësaj licence ka mirëmbajtje çdo dy vjetore të licencës, ku realisht bëhet fluturimi nga ekspertë të Autoritetit të Aviacionit Civil që me profesion janë edhe inspektorë. Gjatë fluturimit, për shembull sot që ka zgjatë 1 orë e 10 minuta kemi fluturu  disa manovra të cilat i kemi praktiku në të kaluarën dhe kjo është vetëm vazhdimësi e licencës”, ka thënë ai.

Piloti i ri nga Prishtina tregon se si është testuar për mirëmbajtjen e Licencës Private ‘Pilot Licence’, përmes së cilës mund të kryhen punë nga ajri, përfshirë spërkatje për vaksinim të kafshëve.

“Gjatë fluturimit, ditën e sotme një prej sfidave është se jo piloti pasi të përfundon trajnimin simulon aterime me raste emergjente, me motor fikur, ndërsa sot gjatë fluturimit pjesë e procesit ka qenë edhe ku motori ndalet në ajër dhe ti vazhdon me zbrit në mënyrë më të sigurt të mundshme, ku në rast që këtë nuk e arrin atëherë edhe nuk mundesh me kalu testin me sukses, që sot unë e kam kalu testin me sukses dhe kam zbrit me sukses në pistë”, tregon Qorrolli.

Interesimi i Qorrollit për të pilotuar kishte filluar që nga fëmijëria, për këtë flet edhe miku i tij Saim Krasniqi, ish punëtor i Aeroportit të Prishtinës.

“Armiri ka qenë vetë i intereresum me një rast të caktuar tek kompania ‘British Airways’ e pyesim kapitenin, po ka dëshirë me hyp në kokpit me pa nga brenda aeroplanin se qysh është. Kapiteni ia liroi karrigen e vetë dhe po e ul dhe po e pyet, ‘Shpjegona se çka di ti për aeroplanin?’. Po e shpjegon aq mirë aq në mënyrë të mrekullueshme, prej pikës një kur fillon me startu aeroplani, qysh fillon me taksu, me dal në pistë, me fluturu, të gjitha po i shpjegonte me detaje të jashtëzakonshme. Reagimi  pilotit ishte ky ‘Wow hera e parë që po shoh pilot pa licencë”, tregon Krasniqi.

Në Kosovë vetëm Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është i licencuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës. Nga koha e ish-Jugosllavisë në Kosovë janë 12 pista pilotimi, ndërsa asnjëra nga to nuk është aktive.

“Në Kosovë, unë në bashkëpunim me disa miq të aviacionit, jemi mundu (me kriju mundësi për aviacion) tash e katër vite, Kosova realisht i ka 12 fusha ajrore që janë ndërtu nga sistemi jugosllav. Por për fat të keq në Kosovë nuk gjendet asnjë fushë ajrore, e cila është e gatshme për shfrytëzim apo që ofron një infrastrukturë për shfrytëzim, por fatkeqësisht nuk kemi gjetë mbështetje asnjëherë nga shteti”, ka thënë Qorrolli.

“Arsyeja ka qenë se ne nuk kemi një infrastrukturë ku mundesh me e zhvillu një aktivitet të tillë. Infrastruktura është e thjeshtë, po që këtë infrastrukturë nuk e ofron shteti jonë”, ka thënë piloti.

Në anën tjetër drejtori i ‘Aero Club Skopje’, Dejan Sazdovski thotë se problemi kryesor është te mosfunksionalizimi i aeroporteve – pistave në Kosovë.

“Problemi më i madh në Kosovë për të rindërtuar aviacionin është aeroporti. Aeroporti duhet të jetë aeroport sportiv, është e pamundur të rindërtosh aviacionin, aviacionin sportiv ose gjithçka që lidhet me të”, ka thënë Sazdovski.