Ilustrim

LVV zëvendëson Haki Abazin me deputetë tjerë në komisione parlamentare

Grupi parlamentar i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar në seancën e Kuvendit zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari Lila propozoi që në Komisonin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kryetari i komisionit Haki Abazi zëvendësohet me deputeten Arbëreshë Kryeziu.

“Në Komisionin për Integrim Evropian, deputetja Arbëreshë Kryeziu zëvendësohet me Fjolla Ujkanin, nënkryetare. Në Komisionin për Integrim Evropian, anëtarja Arbëreshë Kryeziu, zëvendësohet me deputetin Alban Bajrami” njoftoi Kusari Lila.

Ajo bëri të ditur se, në  Komisionin për Stabilizim Asocim, deputeti Haki Abazi zëvendësohet me deputetin Dimal Basha.

“Ne Komisionin për Stabilizim Asociim, zëvendës anëtari Dimal Basha zëvendësohet me Jeta Statovcin”- shtoi ajo.

Ndërkaq në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Kusari Lila tha se deputeti Alban Bajrami zëvendësohet me deputeten Arjeta Fejza.

Këto propozime u votuan me 53 vota pro të deputetëve të Kuvendit, përderisa nëntë të tjerë abstenuan.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi përmes një konference për media ka bërë të ditur se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme.

Sipas tij, kryeministri Kurti është në kërkim të personave që duan ta rrëzojnë qeverinë.

“Jam këtu për të konfirmuar se është dhënë urdhër për shkarkimin nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme. Mendoj që çështja kryesore është që Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë të atyre të cilët duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Pas dy vjetësh Kurti është në kërkim të personave që duan ta rrezojnë Qeverinë”- është shprehur Abazi.

Abazi theksoi se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë dhe se aktualisht nuk ka një Grenell apo dikush tjetër që ka interes ë rrezojë qeverinë.