LVV inicion nismën ligjore që u mundëson mërgimtarëve të votojnë nga ambasadat

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka iniciuar nismat për plotësim të Ligjit për Zgjedhjet e ku synon që mërgimtarëve në diasporë t’u lejohet votimi nëpër ambasadat e shtetit.

Sipas partisë së Albin Kurtit, votimi është e drejtë themelore e njeriut andaj edhe duhet t’i krijohet mundësia të gjithë bashkatdhetarëve votimin nga ambasadat e Kosovës në vendet ku jetojnë.

“Sot, një grup i deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka proceduar nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përmes të cilit iu mundësohet bashkatdhetarëve që të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sipas kësaj partie, aktualisht ekzistojnë procedura burokratike për votim të mërgatës.

“Mërgata përbën më shumë se 1/3 e popullsisë së tërësishme në Kosovë. Roli dhe kontributi i bashkatdhetarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm në jetën ekonomike dhe sociale e politike në Kosovë. Rreth 700 milionë euro në vit, vijnë nga mërgata. Fatkeqësisht dhe jo për fajin e saj, roli politik i mërgatës është reduktuar shumë kur bëhet fjalë përfshirjen e tyre në vendimmarrje”, thuhet tutje në njoftim.

Me propozimin e LVV-së, votimi do të mund të bëhet jo vetëm nga ambasadat por edhe konsullatat e shtetit tonë.

“Megjithëse, formalisht mundësia e pjesëmarrjes në zgjedhje ju njihej, praktikisht atyre ju është pamundësuar përmes burokracisë e pengesave teknike e administrative. Mospërputhja e numrit të madh të bashkatdhetarëve, kontributit politik, kombëtar dhe ekonomik të tyre dhe përfshirjes në zgjedhje, duhet të marrë fund, duke ju ofruar mundësi që të votojnë aty ku jetojnë, në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Me projektligjin e propozuar nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! votuesit nga mërgata do ta kenë mundësinë që të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese që të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet ku jetojnë”, thuhet në fund të njoftimit.